Ndërlidhjet

Rritja ekonomike nuk ul varfërinë dhe papunësinë


Rritja ekonomike në Kosovë, viteve të fundit po shënon rënie. Nga 5.39 për qind sa ishte në vitin 2010, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike gjatë këtij viti do jetë tre për qind.

Kjo normë e rritjes është e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljes së nivelit të varfërisë në vend.

Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq vlerësojnë se duke marrë për bazë krizën politike gjatë vitit të kaluar dhe fillimin e vitit 2015, atëherë duhet të pranohet se rritja ekonomike prej tre për qind është kapaciteti i mundshëm i arritshëm në Kosovë.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se kjo normë e rritjes do të ndihmojë në mbajtjen e një ritmi të zhvillimit ekonomik të viteve të kaluara.

Rexhepi konsideron se për të pasur rritje të qëndrueshme ekonomike, autoritetet kompetente në Prishtinë, duhet të forcojnë sektorin privat.

“Përforcimi i sektorit privat ndodhë vetëm duke ndryshuar ambientin, duke krijuar lehtësi qoftë edhe fiskale, duke gjetur forma alternative të një financimi me një kosto më të lirë dhe krijimin e sigurisë për kapitalin, qoftë edhe për sigurinë fizike të njerëzve. Krejt kjo, kërkon një shtet funksional, një shtet ligjor, një shtet që mbron qytetarin, investitorin dhe mbron kontratat”, thekson Rexhepi.

Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Menderes Ibra, vlerëson se niveli i rritjes ekonomike nuk mundëson krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike.

Sipas tij, për një bazë të qëndrueshme ekonomike, "nevojitet përmirësim në sektorin privat, konkretisht në atë prodhues, në mënyrë që të rritet niveli i eksportit".

“Kuptohet se gjithmonë rritja e prodhimit në një vend është bazë për rritjen e sektorëve dhe nën sektorëve tjerë, se kjo përveç se zvogëlon importin e produkteve, krijon mundësi edhe për hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo nënkupton edhe rritjen e investimeve qofshin ato të brendshme, apo të jashtme”, tha Ibra.

Për të pasur një rritje të zhvillimit ekonomik, mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës, norma e rritjes ekonomike në Kosovë duhet të arrijë mbi shtatë për qind, konsideron Rexhepi.

“Kur kemi parasysh kontingjentin prej 30 mijë vetave që hyjnë në tregun e punës, nëse flasim vetëm për punësimin e tyre, atëherë norma nën shtatë për qind, është normë dekurajuese, dëshpëruese dhe normë që nuk sjellë optimizëm të madh në Kosovë“, tha Rexhepi.

Sidoqoftë, edhe udhëheqës të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kanë thënë se “Qeveria e Kosovës duhet të shënojë rritje më të lartë se sa tre për qind, në mënyrë që të krijojë vende të reja të punës dhe të ulë shkallën e varfërisë.”

Kurse me këtë gjendje, sipas tyre, “qeveria nuk mund të rrisë pagat e punëtorëve në sektorin publik jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe për një periudhë të caktuar”.

XS
SM
MD
LG