Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar në vija të përgjithshme draft-raportin e punës së Qeverisë së Kosovës gjatë 100 ditëve të para të punës.

Ky raport, është miratuar nga qeveria një ditë para se Mustafa të ballafaqohet në interpelancë me opozitën në Kuvendin e Kosovës, pikërisht për këtë çështje.

Mustafa ka pranuar se ka marrë nën drejtim qeverinë në një periudhë jo të lehtë, kur pakënaqësitë politike e sociale në vend ishin në rritje.

Në rend të parë, ai ka përmendur protestat e partive opozitare të 24-27 janarit në Prishtinë, të cilat eskaluan edhe në dhunë, si dhe migrimet e paligjshme masive të qytetarëve jashtë vendit.

Megjithatë, ai është shprehur i bindur se do të kthehet besimi i qytetarëve gjatë mandatit katër vjeçar.

“Ne e kemi filluar mandatin në një gjendje mjaft të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj. Me fillimin e grevave të punonjëseve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve, me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat, me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete të Kosovës, edhe në Prishtinë të cilat kanë eskaluar edhe në dhunë. Me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit Trepça në likuidim, si edhe me fluksin e migrimeve të paligjshme”, ka thënë Mustafa.

Zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë, ndryshimi i politikave fiskale janë përmendur nga Mustafa si prioritete ekonomike.

Si sukses të parë, ai ka veçuar edhe miratimin e Ligjit për ndalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, kurse si sfida jo të lehta, Mustafa ka veçuar themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte dhe sidomos formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kryeministri Mustafa ka thënë se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës kërkon edhe përkrahjen e deputetëve serbë, pasi që procedura kalon fillimisht përmes ndryshimeve kushtetuese.

"Ne do të vazhdojmë bisedat edhe me Listën Serbe në mënyrë që të sigurojmë që të kemi 80 vota për aprovimin e ndryshimeve kushtetuese dhe më pastaj menjëherë do të shkojmë me miratimin e Ligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës".

"Do të thotë, nuk është një proces i lehtë, sepse për ndryshimin e Kushtetutës ne kemi nevojë të kemi shumicën e dyfishtë, pra të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe të deputetëve nga radhët e minoriteteve", ka thënë Mustafa.

Sidoqoftë, edhe nëse kalohen pengesat eventuale nga deputetët serbë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), Mustafa ka konfirmuar edhe një herë se FAK do të ketë disa kufizime në veri të vendit, të populluar nga shumica serbe.

"Është e saktë dhe ka një pajtueshmëri me Aleancën Veriatlantike që në veri FAK të mos shkojë pa marrëveshje me ta (NATO-n)", ka theksuar Mustafa.

Sa i përket bojkotit të Listës Serbe që po u bën institucioneve, Mustafa ka thënë se pret kthimin e këtij subjekti politik, ngase nuk ka parë arsye që bojkoti të vazhdojë tutje.

Lista Serbe, pati ngrirë pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Jabllanoviq i kishte cilësuar si "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

“Nuk kanë ndonjë kërkesë të veçantë për kthimin e tyre. Kërkojnë të zbatohet marrëveshja për koalicion që kemi me ta dhe unë mendoj se nuk ka problem të implementimit të marrëveshjes. Por, as unë nuk e kam të qartë pse po vonohen. Ata kanë thënë se do ta shqyrtojnë dhe do ta bëjnë marrëveshjen mes tyre dhe do të kthehen”, ka thënë Mustafa.

Të enjten, në seancën e pasdites, Mustafa pritet të ballafaqohet me opozitën pikërisht në lidhje me 100 ditët e para të punës së Qeverisë së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG