Ndërlidhjet

Kriza politike "bashkon" etnitë në Maqedoni


Shkup

Shkup

Kriza politike në Maqedoni, ka thelluar ndasitë mes partive, por jo edhe mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve të ndëretnicitetit, duke komentuar “afërën e përgjimeve“ dhe pasojat ndaj raporteve mes dy bashkësive më të mëdha entike, maqedonasve dhe shqiptarëve.

Komentet e tyre vijnë pas vlerësimeve se “bombat“ e opozitës, siç quhen publikimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror, kanë relaksuar raportet ndërentike për dallim nga më parë, kur ekzistonte frika e tensioneve të mundshme.

“Raportet ndëretnike në Maqedoni asnjëherë nuk kanë qenë më të mira se tani. Doli i pavërtetë vlerësimi se kriza politike në të cilën ndodhet vendi do të ketë pasoja negative ndaj raporteve mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, përkundrazi ndodhi ajo që më se paku ndoshta edhe e kemi pritur, që të kemi një relaksim, apo ulje të tensioneve dhe kjo është gjëja më e mirë që mund t'i ketë ndodhur vendit në një situatë të tensionuar politike".

"Pra, nga kjo mund të konstatoj se raportet ndërentike nuk përkeqësohen nga krizat politike, por ato nxiten qëllimisht nga partitë në raste të caktuara për të fshehur, apo për të shpërqëndruar vëmendjen nga afera të ndryshme kriminale, apo nga paaftësia e tyre për të menaxhuar me vendin“, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndërentike.

Edhe Albert Musliu nga organizata joqeveritare “Iniciativa Demokratike“, thotë se “afera e përgjimeve“ dhe publikimi i siç pretendon opozita “dëshmive për punën kriminale të qeverisë“, nuk ka ngritur tensionet, përkundrazi vërehet një shtensionim për dallim nga e kaluara.

“Përshtypja është se raportet ndërentike janë forcuar, së paku siç mund të lexojmë nëpër rrjetet sociale, nga prononcimet publike të analistëve, akademikëve e kështu me radhë, flasin për atë se ka një ngjeshje të radhëve lidhur me publikimin e “bombave“. Për mua kjo nuk duhet të paraqes habi, pasi problemet janë të përditshme dhe nuk janë vetëm se një komuniteti".

"Ka pasur mundësi dhe akoma ka që ndonjë publikim t'i ngreh tensionet tek grupet etnike, veçanërisht tek popullata shqiptare, por ajo nuk mund të gjeneroj krizë ndërentike pasi në këtë rast kemi pakënaqësi ndaj shtetit, ndaj qeverisë e jo pakënaqësi ndaj një komuniteti tjetër“, thotë Musliu.

Musliu dhe Dimovski, thonë se si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët janë të interesuar që e vërteta të dal në shesh për të gjitha krimet që opozita pretendon të jenë bërë nga pushteti aktual ku bashkëveprojnë parti politike maqedonase dhe shqiptare.

Ata vlerësojnë se zhvillimet e fundit lidhur me atë që quhet “aferë e përgjimeve“, kanë demaskuar partitë politike për të cilat parësore janë interesat personale dhe të grupeve të caktuara, dhe këtë siç shprehen ata, e kanë hetuar tashmë të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë entike, fetare e politike.

Dimovski ndalet edhe në debatet e fundit në opinion, në veçanti ato mes ish pjesëtarëve të forcave maqedonave të sigurimit dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët madje kanë nisur komunikimin që të bashkohen për siç thonë në “luftën kundër kriminalitetit të pushtetit aktual“.

“Atë të cilën asnjëherë nuk e kemi dëgjuar, tani po del në sipërfaqe, pra dy palët të cilët kanë luftuar në vitin 2001, tani bëjnë thirrje për pajtim mes dy bashkësive që bashkërisht të nisin betejën kundër së keqes, kundër krimit të partive politike".

"Ky është një sinjal shumë i mirë, është një kapsollë për raporte shumë të mira ndërentike dhe besoj që këtë atmosferë pozitive nuk do të arrijnë ta prishin partitë pasi jemi dëshmitarë se ato gjithmonë kur kanë qenë të zëna ngusht kanë tentuar të shpëtojnë përmes ngritjes së tensioneve ndërentike“, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndërentike.

XS
SM
MD
LG