Ndërlidhjet

Përmirësohet furnizimi me barna nga lista esenciale


Për vitin 2015, buxheti për barnat në Kosovë është rritur për 14.5 milionë euro më shumë, duke e ngritur buxhetin përafërsisht 35.5 milionë euro. Në vitin 2014, buxheti për barna kishte qenë rreth 21 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, i ka ndarë këto para nga kursimet buxhetore që i ka bërë në projektbuxhetin e vitit 2015.

Por, mungesa e barnave nga lista esenciale në institucionet publike shëndetësore, vazhdon të jetë e pranishme.

Kjo listë, që nga paslufta, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, është e vetmja qendër referente për gjithë Kosovën. Zëdhënësi i këtij institucioni, Shpend Fazliu bën të ditur se shkaku i buxhetit të limituar, lista e barnave esenciale asnjëherë nuk është përmbushur në tërësi.

"Bazuar në raportin e barnatores qendrore në nivel të shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës, furnizimi me barna dhe material shpenzues nga lista esenciale për këtë tre mujor ka qenë 71 për qind; me citostatikë nga lista esenciale 48 për qind; përderisa me material shpenzues ka qenë rreth 67 për qind", thotë Fazliu.

Ai gjithashtu tregon për përqindjen e përmbushjes së listës esenciale edhe në spitalet e përgjithshme nëpër Kosovë.

"Në spitalin e Pejës ka qenë 81.2 për qind, me material shpenzues 74 për qind; në spitalin e Gjakovës furnizimi me barna ka qenë 72 për qind, me material shpenzues 67 për qind. Ndërkaq në spitalin e Ferizajt furnizimi me barna ka qenë 79 për qind derisa me material shpenzues 58 për qind".

"Në spitalin e Prizrenit me barna furnizimi është bërë 51.5 për qind, derisa me material shpenzues 70.9 për qind. Në spitalin e Mitrovicës 72 për qind me barna dhe në spitalin e Gjilanit 78 për qind është arritur të përmbushet me barna nga lista esenciale", thekson Fazliu.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se në tremujorin e parë të këtij viti është përmirësuar gjendja me furnizim me barna, krahasuar me vitet paraprake.

Valbon Krasniqi, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se furnizimi me barna nga lista esenciale është përmirësuar dukshëm. Sipas tij, brenda muajit prill, pritet që lista të përmbushet mbi 80 për qind.

"Furnizimi brenda këtij 100 ditëshi të marrjes së Qeverisë ka qenë më i mirë, në bazë të raportit që kemi marrë. Është përmbushur rreth 71 për qind në nivel të institucioneve sekondare dhe terciare. Edhe furnizimi me citostatikë është duke u përmirësuar. Gjatë muajit prill parashihet të përmbushim mbi 80 për qind listën esenciale me barna. Krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit po qëndrojmë më mirë", thekson Krasniqi.

Zoti Krasniqi gjithashtu tregon se tashmë janë formuar komisione brenda institucioneve publike shëndetësore, që do të analizojnë gjendjen me furnizim me barna.

"Është siguruar një monitorim shumë i mirë i gjithë procesit duke filluar që nga planifikimi i barnave, deri te shpërndarja e tyre, jo vetëm te klinikat por edhe deri tek ajo se a kanë arritur te pacientët ato barna. Kjo ka ndodhur pas formimit të komisionit nga ana e SHSKUK [Shërbimit Spitalor Klinik Universitar] të përbërë nga farmacistë që kanë monitoruar këtë furnizim brenda klinikave dhe spitaleve rajonale", bën të ditur Krasniqi.

Sidoqoftë, zyrtarët shëndetësorë kanë deklaruar disa herë se me furnizim, ngushtë ndërlidhen edhe procedurat e prokurimit, që sipas tyre nuk u përshtaten specifikave të furnizimit me barna,gjë që shpeshherë bën që të ketë vonesa në furnizim.

XS
SM
MD
LG