Ndërlidhjet

logo-print

Arrihet pajtueshmëria për programin bërthamor iranian, por ka kundërshtime

  • RFE /RL

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore, të enjtën në mbrëmje thanë se kanë arritur pajtueshmëri për “parametrat kryesor” të marrëveshjes gjithpërfshirëse, që duhet të finalizohet deri më 30 qershor.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, duke e lexuar deklaratën e përbashkët me zyrtarët e Iranit në konferencën për gazetarë në Lozanë të Zvicrës, tha se mirëkuptimi i arritur është “hap vendimtar” në negociatat e gjata, për ta ndalur programin bërthamor iranian, në këmbim për lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike.

“Sot ne kemi marrë një hap vendimtar. Ne kemi arritur zgjidhje për parametrat kryesor të planit aksional të përbashkët gjithpërfshirës. Përkushtimi politik, vullneti i mirë dhe puna e madhe e të gjitha palëve e bëri këtë të mundshme”, tha Federica Mogherini.

Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se zyrtarët nga Franca, Britania, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, janë ende “për një kohë larg nga ajo ku ne dëshirojmë të jemi”.

Sipas tij, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilat janë imponuar sanksione kundër Iranit, do të përfundojnë me arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse.

“Marrëveshja supozohet të bëhet më 30 qershor, nëse të gjithë ne punojmë mirë dhe kemi shumë fat. Por, marrëveshja e shkruar është diçka që duhet të propozohet nga të gjithë pjesëmarrësit dhe të arrihet pajtueshmëri në procesin shumëpalësh dhe shpresojmë se brenda tre muajsh, apo edhe më pak, do ta finalizojmë atë”, tha Javad Zarif.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se marrëveshja me Iranin është pajtueshmëri për “zgjidhjen e çështjeve kryesore për programin bërthamor të Iranit” dhe të gjitha palët do të “kthehen së shpejti për të punuar në marrëveshjen finale”.

Obama: Mirëkuptim historik

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se marrëveshja kornizë e arritur në bisedimet për programin bërthamor të Iranit është “marrëveshje e mirë”, që nëse implementohet në tërësi, do ta parandaloj Iranin nga prodhimi i armatimit bërthamor.

“Sot, Shtetet e Bashkura, së bashku me aleatët tanë dhe partnerët, kanë arritur një mirëkuptim historik me Iranin, i cili nëse implementohet plotësisht, do ta parandaloj atë nga sigurimi i armatimit bërthamor”, tha Barack Obama.

“Nëse kjo kornizë do të çoj në marrëveshjen gjithpërfshirëse finale, kjo do t’i bëjë më të sigurtë vendin tonë, aleatët dhe botën tonë”, tha presidenti Obama.

Por, zoti Obama tha se “puna nuk ka përfunduar” në arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, dhe ka shprehur përkushtim që “gjithnjë të bëhet ajo që është e domosdoshme”për ta ndalur Iranin nga sigurimi i armatimit bëthamor.

“Puna jonë nuk ka përfunduar ende. Marrëveshja nuk është nënshkruar. Ndërmjet periudhës së tashme dhe fundit të muajit qershor, negociatorët do të vazhdojnë të punojnë për detaje se si kjo kornizë do të implementohet tërësisht dhe këto detaje janë të rëndësishme. Nëse do të ketë shmangie nga pala iraniane, nëse verifikimi dhe mekanizmat e inspeksionit nuk i plotësojnë specifikimet e ekspertëve tanë bërthamor dhe të sigurisë, atëherë nuk do të ketë marrëveshje”, tha Barack Obama, duke folur të enjten në mbrëmje para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmi për arritjen e marrëveshjes kornizë ka shkaktuar festime në rrugët e Teheranit në Iran, ndërsa ndihmësit në Shtëpinë e Bardhë e kanë uruar njëri-tjetrin në çastin kur është paraqitur presidenti Obama.

Kundërshtimet mund ta rrezikojnë marrëveshjen

Por, për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga Izraeli, shqetësimeve të thella të rivalëve të presidentit Obama në mesin e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, dhe nga konservatorët e linjës së fortë në Iran, duket se ende nuk është e garantuar se më 30 qershor do të nënshkruhet marrëvshja finale.

Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, tha se pajtueshmëria për pikat preliminare është bazë për atë që mund të jetë “marrëveshje shumë e mirë”.

Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, është shprehur se ende ka punë, para se të arrihet marrëveshja finale.

Rusia e ka lavdëruar marrëveshjen kornizë dhe tha se zgjidhja e mospajtimit lidhur me programin bërthamor iranian, do ta përmirësoj situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe do t’i mundësoj Iranit “që të marrë rol më aktiv në zgjidhjen e një varg të çështjeve dhe të konflikteve në rajon”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në Berlin se “bota kurrë nuk ka qenë më afër” marrëveshjes, me të cilën Irani do të parandalohet nga prodhimi i armtimit bërthamor.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG