Ndërlidhjet

Shkup: Qeveria me projeksione jashtë-buxhetore për krizën


Shkup
Shkup

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni, konsiderojnë se për të kamufluar krizën politike, Qeveria e Maqedonisë po ndërmerr masa të cilat nuk janë pjesë e projeksionit të buxhetit, përkatësisht janë në kundershtim të plotë me projektimet buxhetore për vitin 2015, të miratura nga parlamenti i Maqedonisë.

Së fundmi, qeveria ka paralajmëruar rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në ministrinë e punëve të brendshme, pa qenë kjo e planifikuar gjatë miratimit të buxhetit.

Ish guvernatori i bankës popullore të Maqedonisë, konsideron se rritja e shpenzimeve buxhetore është e rrezikshme sepse i bën presion deficitit buxhetor.

“Afera e përgjimeve ka nxjerrë në pah, se politikat ekonomike të shtetit janë ndërtuar mbi bazë të korrupsionit, pra politikave për të korruptuar trupin votues. Në këto rrethana është e qartë se mënyra e këtillë e qeverisjes, ndikon në rritjen e deficitit dhe njëherësh rritjen e borxhit të brendshëm dhe atë të jashtëm".

"Por, sipas të dhënave që i jep vet Qeveria e Maqedonisë, borxhi publik është rritur nga 23 në 46 për qind, në raport me Bruto Prodhimin Vendor gjatë 6 viteve të fundit dhe kjo flet qartë për shpenzimet e papëgjegjshme të pushtetit, përkatësisht investime jokapitale", thekson Petar Goshev ish guvernatorr i Bankës Popullore të Maqedonisë.

Sipas tij, pushteti sillet tërë kohën sikur është në fushatë zgjedhore.

“Qeveria vazhdon me projekte populliste që të mund të ruaj pushtetin, pavarsisht se çdo ditë e më shumë thellohet varfëria në vend”, nënvizon Petar Goshev.

Ndërkohë, kryeminstri i Maqedonisë Nikolla Gruevski është shprehur se fitorja e partisë së tij, gjatë proceseve zgjedhore brenda 9 viteve të fundit është e bazuar në uljen e borxhit publik dhe papunësisë.

“Të luftosh për Maqedoninë, do të thotë në kushte krize kur të gjitha vendet e Evropës ulin pagat, pensionet dhe ndihmën sociale, ti jo vetëm se nuk e bën këtë, por i rrit të njëjtat. Njëkohësisht bën që Maqedonia të radhitet në 5 ose 6 vendet me më pak borxh në Evropë”, është shprehur Gruevski.

Por, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se veprimet e qeverisë kanë të bëjnë me blerjen e kohës pas dridhjeve që shkakton publikimi i përgjimeve nga opozita maqedonase, e cila pretendon se më shumë zyrarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në aferat korruptive.

“Qeveria kërkon me çdo kusht të blejë qetësinë politike dhe atë sociale, fillimisht duke tentuar t`i amortizojë problemet ekonomike, me rritjen e pagave, më pas rritjen e subvencioneve, me pezullimin kontrolleve për një kohë nga ana e inspektorëve financiarë, qoftë në bizneset e vogla ose ato të mesme", thekson Ademi.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, gjithashtu ka paralajmëruar një varg subvencionesh për kompanitë të cilat do të punësojnë persona të moshës mbi 35 vjeçare, si dhe ndarjen e kompjuterëve për çdo student.

XS
SM
MD
LG