Ndërlidhjet

VOX

Të rinjtë dëshirojnë “pushim në zyre”


Të rinjtë në Kosovë, pas përfundimit të studimeve, më tepër dëshirojnë punësimin në sektorin publik se sa në atë privat.

Në rubrikën e përjavshme “ VOX” të Radios Evropa e Lirë disa të rinj thonë se sektori publik vazhdimisht favorizohet nga Qeveria, pagat janë më të larta, kontrata më të sigurta, kushtet për punë janë më komode, nuk punohet ditëve të vikendit, por as për festat zyrtare.

Madje, ka nga ta që punën në institucionet shtetërore e konsiderojnë “pushim në zyre”, pasi numri i punonjësve është shumë i madh dhe nuk ka punë të lodhshme.

Fjolla Kallaba, studente në Departamentin e Gjuhës Angleze, në Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të studimeve, me dëshirë do të punësohej në sektorin publik, për shkak të sigurisë më të madhe në punë.

“Për shkak të sigurisë në punë, sigurisë shëndetësore, puna është më e sigurt, por edhe për shkak të rrogës”, shton Fjolla.

Blerim Krasniqi ka përfunduar studimet në Departamentin e Gjeografisë, por aktualisht është duke punuar në një kompani private. Ai thotë se vazhdimisht përcjell konkurset në institucionet publike, që të arrijë deri te vendi i punës në fushën e gjeografisë.

“Normalisht se në sektorin publik, duke marrë parasysh se në sektorin privat janë gjërat private, je i detyruar edhe të punosh më shumë dhe jashtë orarit. Kurse, në sektorin publik është një siguri më e madhe, përgjegjësia është më e vogël,nuk mund të të largojnë nga puna kurdo që i teket shefit. Paga mendoj se nuk dallon shumë në Kosovë në të dy sektorët”, thotë Blerimi.

Kurse Arian Bytyçi, i cili është duke ndjekur studimet në nivelin master në Fakultetin Ekonomik, konsideron se rehatia është në sektorin publik, kurse punësimi në sektorin privat mund të ndikojë në arritje më të mëdha profesionale.

“Për ata që e kanë pikësynim që vetëm të gjejnë një vend pune dhe të bëjnë një jetë mesatare, atëherë “sefaja” është në sektorin publik, fatkeqësisht”.

“Kurse, për ata që dëshirojnë të zhvillohen profesionalisht në karrierë, atëherë sektori privat është më i mirë. Në këtë sektor, kërkohet punë më shumë dhe nga kërkesat e shumta përfiton edhe punëtori në aspektin profesional. Ndërsa, në sektorin publik shkojnë vetëm marrin paga dhe bëjnë ‘sefa’”, pohon Ariani.

Ndërkaq, Arjeta Berisha ka përfunduar qe dy vjet Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Edhe Arjeta dëshiron të punësohet në sektorin publik dhe për këtë ka aplikuar në disa konkurse të shpallura nga institucionet publike.

Por, sipas saj, në këtë proces ndodhin parregullsi, pasi jo gjithmonë, nga konkurset pranohen personat e merituar.

Jam duke i përcjell konkurset, por nga konkurset nuk fitohet puna, për shkak se personat po pranohen me nepotizëm dhe në bazë të strukturave politike. Me dëshirë do të punoja në sektorin publik, për shkak të sigurisë më të madhe në këtë sektor, nuk ka diskriminim, shkaku i pushimeve vjetore, shkaku i festave . Kurse në sektorin privat ka diskriminim, pushimet nuk janë të rregullta, kontrata nuk ekzistojnë”, shprehet Arjeta.

Ngjashëm mendon edhe Antigona Jakaj, studente në Departamentin e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës:

“Mendoj se puna është më e mirë në sektorin publik se sa privat. Ka më shumë përfitime materiale, ka më shumë rehati”.

Selamet Ahmetaj, nga qyteti i Prizrenit, studente në Fakultetin e Arkitekturës, në Universitetin e Prishtinës, tregon se arsye e dëshirës së punësimit në institucionet publike është zbatimi i Ligjit të Punës:

“Gjithkund ku zbatohen rregulloret, ligjet më pëlqen më tepër, e dua rregullin. Zbatohen ligjet, zbatohet orari i punës, pagat janë të rregullta, pushimi vjetor, paga e 13- të etj.”.

Por, ndryshe mendon Ezan Arifi, i cili punon në një kompani private që merret prodhimin e dyerve dhe dritareve në Prishtinë. Ai thotë se asnjë herë nuk e ndërron punën në sektorin privat për atë publik.

“Puna në sektorin privat është shumë më mirë. Shefi sillet tepër mirë me punëtorët.Pagat janë me rregull, 14 ditë kemi pushim vjetor”, tregon Ezani.

Sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 302 mijë persona, nga kjo shifër 80 mijë në sektorin publik, të cilët marrin pagë mesatare 441 euro në muaj, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë, paga mesatare e të cilëve është 228 euro në muaj.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG