Ndërlidhjet

logo-print

Obama e përshëndet marrëveshjen me Iranin, Netanjahu e kritikon atë

  • RFE /RL

Barack Obama dhe Benjamin Netanjahu.

Barack Obama dhe Benjamin Netanjahu.

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, kanë vazhduar mospajtimet e tyre për marrëveshjen kornizë rreth programit bërthamor të Iranit, marrëveshje kjo që u arrit javën e kaluar.

Obama e ka quajtur këtë pajtim me Iranin si një “shansë që jipet një herë në jetë”, për të parandaluar mundësinë e Teheranit që të ndërtojë armë bërthamore dhe për të dërguar siguri në Lindje të Mesme.

Obama, gjatë një interviste të publikuar në “The New York Times” më 5 prill, ka thënë se arritjet potenciale të një marrëveshjeje përfundimtare sipas parametrave që ekzistojnë tani, i tejkalojnë rreziqet.

Zyrtarët nga Irani dhe gjashtë fuqitë botërore, Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe SHBA-të, janë pajtuar më 2 prill në Zvicër, për “parametrat kyq” të një marrëveshjeje që e frenon programin kundërthënës bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike të BE-së, SHBA-ve dhe OKB-së.

Marrëveshja duhet të finalizohet më së largu më 30 qershor.

Obama ka thënë se Izraeli ka të drejtë të shqetësohet rreth programit bërthamor të Iranit, mirëpo presidenti ka thënë se SHBA-të do të sigurojnë që çfarëdo marrëveshje bërthamore me Iranin e mbron “avancimin cilësor ushtarak të Izraelit”.

Ai ka shtuar se “mbrojtja e Izraelit” nga Uashingtoni mbetët e “pa lëkundur”.

Zëvendës-këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rhodes, derisa ka dhënë intervistë për rrjetin televiziv amerikan, CNN e ka arsyetuar kështu arritjen e marrëveshjes me Iranin:

"Ne po merremi me disa opsione, ashtu siç ka thënë edhe presidenti Obama. Opsioni i parë është që ne mund të kemi një marrëveshje afatgjate si kjo që është arritur për t’i parandaluar ata që të ndërtojnë armë bërthamore".

"Opsioni i dytë është, ne mund të ndërhyjmë ushtarakisht, diçka që nuk e kthen prapa programin bërthamor të Iranit po aq sa e kthen kjo marrëveshje, ndërsa ndërhyrja ushtarake përmban rreziqe për rajonin dhe opsioni i tretë është vendosja e sanksioneve të tjera".

"Mirëpo, fakt është që sa herë i vendosim sanksione Iranit, ata e avancojnë programin e tyre bërthamor… Prandaj, në një grumbull alternativash, marrëveshja është opsioni më i mirë”, ka thënë Rhodes.

Mirëpo, Netanjahu e ka dënuar marrëveshjen kornizë si një “marrëveshje të keqe”.

Netanjahu ka thënë për rrjetin televiziv amerikan, CNN më 5 prill se marrëveshja “nuk e kthen prapa programin bërthamor të Iranit” derisa ky shtet e ruan “një sasi të madhe të infrastrukturës bërthamore”.

Ai ka shtuar se “asnjë cetrnifugë e vetme nuk është shkatërruar” dhe se marrëveshja nuk e mbyll asnjë objekt bërthamor të Iranit.

“Kjo është një marrëveshje e keqe e cila e lë Iranin me kapacitetet për të prodhuar materiale për shumë, shumë bomba bërthamore dhe e bën këtë derisa ia heq sanksionet, paraprakisht. Pra, Irani do të fitojë miliarda dollarë, jo për shkolla, apo spitale apo rrugë, por për të fuqizuar makinerinë e terrorit të përhapur në botë dhe makinerinë e saj ushtarake e cila momentalisht është e zënë duke e pushtuar Lindjen e Mesme".

"Shteti i fuqishëm terrorist i kohës tonë, nuk duhet të ketë qasje te mundësitë e mëdha bërthamore që përfundimisht do i mundësojë të ketë armë bërthamore – ky është shqetësim për Izraelin, për rajonin, për paqen në botë”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Në Uashington, senatorja demokrate, Dianne Feinstein, zëvendës-udhëheqëse e Komitetit të Senatit për Inteligjencë, ka thënë për CNN se marrëveshja e arritur me Iranin nuk e kërcënon mbijetesën e Izraelit ashtu siç pretendon Netanjahu.

Duke folur drejtpërdrejtë për Netanjahun, ajo ka shtuar: “Shpresoj që ai ta përmbajë veten”.

Senatori republikan, Bob Corker, i ka thënë televizionit amerikan, Fox News, se shqyrtimi i marrëveshjes nga Kongresi dhe aprovimi i saj nga i njëjti organ shtetëror amerikan është esencial dhe do të ndihmonte për tu siguruar që ajo nuk është një marrëvëshje e keqe.

“Është e rëndësishme që Kongresi qëndron në mes të kësaj çështjeje, duke u munduar ta kuptojë atë, ta ngacmojë atë dhe duke bërë pyetje të rëndësishme rreth saj”.

Senatori republikan, Lindsey Graham, i ka thënë televizionit amerikan, CBS, se marrëveshja është me të meta, por ndoshta më e mira që Obama mund ta siguronte pasi iranianët nuk e respektojnë e as nuk ia kanë frikën atij.

Në Teheran, shefi i ushtrisë së Iranit e ka lavdëruar suksesin e vendit të tij në negociata me fuqitë e botës.

Komentet e gjeneralit, Hassan Firuzabadi, një aleat i afërt i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, janë publikuar në faqen e internetit të Gardës Revolucionare të Iranit më 5 prill.

Firuzabadi e ka uruar Khamenein, i cili ende nuk e ka komentuar marrëveshjen fillestare, për “suksesin e ekipit negociator të Iranit dhe e ka falenderuar” presidentin Hassan Rohani dhe ministrin e jashtëm, Mohammad Javad Zarif, për përpjekjet e tyre.

Ai gjithashtu e ka përshëndetur Khamenein për “udhëzimet” e dhëna ekipit negociator për arritjen e marrëveshjes.

Qëndrimet e mbajtura në Iran kanë qenë të ndryshme.

Disa kanë festuar nëpër rrugë pas publikimit të lajmit për arritjen e marrëveshjes, ndërsa disa konservatorë e kanë kritikuar atë duke thënë se është dorëzuar shumëçka dhe për frenimin e programit bërthamor të Iranit.

Kryetari konservator i parlamentit të Iranit, Ali Larijani, megjithatë e ka përshkruar marrëveshjen si “pozitive”, sipas një raporti të publikuar më 5 prill nga agjencia e lajmeve, ISNA.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG