Ndërlidhjet

Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për përgjegjësi të reja mbrojtëse, duke u transformuar në Forca të Armatosura. Këto janë deklarata më të shpeshta, që kohëve të fundit i thonë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovë.

Ata thonë po ashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka përmbushur objektivat dhe tani është e gatshme edhe për misione paqeruajtëse në botë, përkrah forcave të NATO-s.

Mirëpo, njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Kosovë, theksojnë se FSK-ja ka përmbushur kushtet për shndërrim në Forca të Armatosura të Kosovës, por sipas tyre për shkak të çështjeve politike, ka ngecje.

Florian Qehaja, njohës i çështjeve të sigurisë, dhe drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur është një element shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Ai konsideron se kjo çështjë nuk ka rrugë tjetër, por vonesat janë evidente.

"Nuk ka dilemë se procesi ka stagnuar. Unë mendoj se ka qenë një dështim i legjislaturës së kaluar që nuk arriti ta fus në agjendë këtë çështje në momentin kur e kishim një pozicion tjetër politik", tha Qehaja.

Edhe Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, thotë se shndërrimi i FSK-së në FAK është mjaft i rëndësishëm për Kosovën, pasi që sipas tij, është një parapërgatitje për të marrë përgjegjësi që në Kosovë aktualisht i ka NATO-ja.

"Ato duhet të ngriten dhe normalisht dhe të përgatiten për të marrë përgjegjësitë e KFOR-it në Kosovë", tha Maloku.

Njohësit e çështjeve të sigurisë kanë shprehur shqetësime edhe në raport me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të mund të shkojnë në veri të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa, ka deklaruar se qasja e Forcave të Armatosura në veri të Kosovës do të mbetet e limituar.

Eksperti Maloku thekson se nëse Forcat e Armatosura të Kosovës, në të ardhmen nuk arrijnë të shkojnë në veri të vendit dhe nëse në ketë drejtim arrihet ndonjë marrëveshje e shkruar, kjo, sipas tij, do thotë ndarje e Kosovës.

"Dëm i madh i bëhet Kosovës për proceset në të ardhmen. Praktikisht ajo e ndan Kosovën, dhe nëse kjo bëhet me marrëveshje...ne e dimë se as FSK-ja nuk shkon në veri, mirëpo nuk është me marrëveshje të qeverisë”.

“Ajo nuk shkon për shkak se përgjegjësinë atje e ka NATO-ja dhe KFOR-i. Kjo është shumë më e rendë për mendimin tim, se sa edhe asociacioni i komunave (serbe) që është një prej veprimeve ose kushteve që Lista Serbe i parashtron, e që janë jashtëzakonisht të renda për të ardhmen e Kosovës", tha Maloku.

Për moslejimin e FAK-ut në veri të Kosovës, Florian Qehaja thotë se kohë më parë thuhet se është arritur një marrëveshje gojore ndërmjet ish-kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Qehaja tha po ashtu se nga lista serbe ka tendence të qartë se votat e tyre për FAK-un, të përdoren si një pazar politik në funksion të marrjes së një mandati ekzekutiv për asociacionin e komunave në veri të Kosovës.

"Kjo përbën një rrezikshmëri të madhe. Në anën tjetër, Prishtina zyrtare duhet të shfrytëzojë koncencionet që i ka bërë deri tash në marrëveshjet me Beogradin e sidomos aprovimin e mundshëm të Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Në ketë rast duhet të bindet faktori ndërkombëtar që për shkak të koncesioneve që janë bërë duhet të aktivizohet faktori ndërkombëtar dhe të bindet Llista Serbe që ta votojë FAK-un”.

“Kjo është në interes edhe të faktorit ndërkombëtar, për arsye se KFOR-i do të tërhiqet dhe si rrjedhojë do të hapej mundësia që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale sepse deri tash nuk ka", tha Qehaja.

Në rishikimin e strategjisë për sigurinë e Kosovës është rekomanduar që FSK-ja të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ky rekomandim është miratuar nga Qeveria, por që të jetë i plotfuqishëm, duhet të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të miratohet ligji përkatës.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dalë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht 2,263, është numri i pjesëtarëve të FSK-së, ku 478 janë aktivë.

Nga përbërja e përgjithshme e këtyre pjesëtarëve 8.91 për qind janë nga komunitetet pakicë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG