Ndërlidhjet

Rashiti: Veriu po futet në një “status quo” komode


Veri...

Veri...

Votimi i Gjykatës së veçantë për krime lufte në Kuvendin e Kosovës, do të ketë vështirësi, por nuk do të dështojë, vlerëson Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, analisti Rashiti, gjithashtu ka theksuar se veriu i Kosovës po futet në një "status quo" të re, e cila është komode për të gjithë faktorët në këtë pjesë të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, një nga detyrat që i presin institucionet e Kosovës është formimi i Gjykatës së veçantë për krime lufte. A mendoni se Kuvendi i Kosovës mund të sigurojë dy të tretat e votave për formimin e kësaj gjykate?

Naim Rashiti: Unë besoj që institucionet janë duke bërë gjithçka që duhet, sidomos ekipi teknik, për ta negociuar statutin e gjykatës. Besoj që jemi pranë finalizimit - disa detaje që po definohen - ashtu sikurse edhe kryeministri [Isa] Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar këto ditët e fundit në Kuvend se gjykata është një çështje mandatare për ta funksionalizuar funksionimin e shtetit dhe për të ruajtur marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtarë.

Ky proces do të kalojë qetësisht në Kuvend. Do të ketë vështirësi, por nuk do të dështojë votimi i gjykatës dhe gjykata do të votohet gjatë majit, ndoshta në fillim të majit, ashtu që t’u lihet hapësirë procedurave në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se dikush eventualisht dëshiron ta dërgojë atje. Ky është kriteri kryesor politik i Bashkimit Evropian. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimi i vizave janë të ndërlidhura me këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, cilat janë pasojat e një dështimi eventual të votimit për formimin e Gjykatës së veçantë për krime lufte?

Naim Rashiti: Pasoja më e madhe është pasoja e një dështimi të marrjes së obligimit të shtetit ndaj faktorit ndërkombëtar, kërkesave të faktorit ndërkombëtar, për obligime të veta, sepse në maj të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese, përmes rezolutës dhe ligjit për EULEX-in, ka aprovuar në parim miratimin e gjykatës apo Dhomave të veçanta, siç quhen ligjërisht tashmë në draft-ligjin e ri.

Pasoja tjetër është dështimi i shtetit për tu ballafaquar me këto procese politike,shpeshherë shumë të vështira. Natyrisht, ka një vullnet të madh ndërkombëtar nga të themi ashtu, jo miqtë e Kosovës që këtë proces ta tërheqin në Kombet e Bashkuara, proces, të cilin shtetet mike të Kosovës, nuk do të mund ta ndalnin.

Radio Evropa e Lirë: Kjo do të prodhonte pasoja shtesë?

Naim Rashiti: Unë as nuk mund ta marr me mend që Dhomat e veçanta të votohen nga Kombet e Bashkuara, përmes Këshillit të Sigurimit apo të futen në kornizën e Tribunalit të Hagës, sepse atëherë do të jetë një proces i pakontrollueshëm nga Kosova, por edhe nga miqtë e saj dhe do të ishte një proces i stërzgjatur, me dekada.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, Lista Serbe, që nga janari i këtij viti, ka ngrirë angazhimin e saj në institucionet e Kosovës. Kushti i saj për kthim është, siç kanë thënë respektimi i marrëveshjes së koalicionit qeverisës. A shihni komplikime të mëtejme në këtë mes?

Naim Rashiti: Sa i përket kritereve dhe kushteve të Listës Serbe, të cilat po ndryshojnë nga faza në fazë - që nga disa takimi në Beograd, pastaj takimi në Graçanicë, pastaj takimet i fundit - kanë të bëjnë më shumë me sjelljen politike të një pjese të tyre dhe jo të gjithëve, si dhe dëshirën e mëtutjeshme të Beogradit për t’i kontrolluar dhe për të manipuluar me ta.

Beogradi, kësi forme pretendon ose i duket se arrinë poenë politikë në raport me Kosovën dhe në njëfarë forme, është një akt pretendues se, kinse, e kontrollojnë jetën në institucione të Kosovës. Në fakt, në fund, ata nuk mund t’i kontrollojnë institucionet e Kosovës dhe më së shumti janë serbët, të cilët do të humbin më së shumti. Sa i përket marrëveshjes politike, aty definohen dy çështje më thelbësore, për mua.

Janë gjashtë pozitat e zëvendësministrave dhe zbatimi i marrëveshjes sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E para ka mundur të zbatohet që në fillim dhe mund të zbatohet edhe tash, pa asnjë vonesë. E dyta dihet se është peng i dialogut Prishtinë - Beograd. Kështu që vetë serbët e Kosovës nuk vendosin fare për atë çështje dhe presim që çështja e asociacionit të vendoset në tavolinë, sa më shpejt që është e mundur, në Bruksel ku palët sjellin propozimet e tyre.

E mira do të ishte që Lista Serbe, në fakt, kryetarët e komunave me shumicë serbe, të ndikojnë në këtë proces, duke insistuar që të jenë më aktiv në marrëdhëniet me Prishtinë dhe më aktiv në propozimet e tyre për asociacionin.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se Lista Serbe mund të kthehet në institucione edhe pa lejen e Beogradit zyrtar?

Naim Rashiti: Jo. Lista Serbe është larguar nga institucionet me kërkesën e Beogradit dhe nuk do të kthehet në institucione pa lejen e Beogradit, i cili nuk ka një sjellje të sinqertë as ndaj institucioneve të Prishtinës, por as ndaj serbëve.

Kryesisht i përdorë ata edhe më tutje, për të krijuar poenë politikë në raport me dialogun ose më mirë të themi, për të krijuar një situatë të re politike në raport me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut. Dua të them që edhe Prishtina edhe partitë politike, anëtarët e Kuvendit të Kosovës, duhet të bëjnë sa më shumë përpjekje që t’i thërrasin ata dhe t’i inkurajojnë ata përfaqësues që të kthehen.

Por edhe pasi të kthehen, të punojnë sa më shumë bashkë, që serbët të bëhen pjesë e gjithë skenës institucionale-politike në Kosovë dhe që eventualisht të ndërtohet një klimë më e mirë se sa çfarë pamë në disa muaj më herët.

Radio Evropa e Lirë: E thamë edhe më herët që një kusht i Listës Serbe është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zyrtarët e qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se nuk do të bisedohet për asociacionin pa zhbërjen e paralelizmave në veri. Çfarë zhvillimesh prisni në këtë drejtim?

Naim Rashiti: Veriu po futet në një situatë të re, në një “status quo” të re, shumë komfore dhe i gjithë spektri i veriut, populli, institucionet, do të donin që kjo periudhë të zgjas, sepse, tani, në njëfarë forme, në mënyrë ligjore, përfitojnë nga të dy sistemet, i Kosovës dhe ai i Serbisë. Do të jetë e dëmshme për ta përmbyllur integrimin dhe për ta ndërtuar një paqe të vërtetë.

Në anën tjetër, kemi dy pozicione, të Prishtinës dhe Beogradit. Prishtina insiston në zbatimin e marrëveshjeve kyçe që ndërlidhen me rendin dhe sigurinë - shuarjen e strukturave paralele, heqjen e parkut, zbatimin e marrëveshjes për gjykatën dhe “Mbrojtjen civile” - më pas integrimin e plotë të komunave dhe pastaj fillimin apo avancimin e dialogut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Beogradi insiston mu të kundërtën, që duke ruajtur kështu si janë institucionet tjera - institucionet e saj që operojnë në Kosovë - që fillimisht të bëhet marrëveshja për Asociacionin e pastaj, në paket të bëhet integrimi i të gjitha institucioneve serbe në kuadër të Asociacionit dhe të komunave kosovare.

Dhe në fund, t’i kalojë disa ligje ose një ligj kushtetues në Serbi do t’i mundësonte asaj një sjellje ligjore në raport me Kosovën apo në veçanti me Asociacionin e komunave serbe. Kjo është një sfidë e madhe, një qasje shumë e ndryshme, e cila është vështirë të përputhet.

Ajo që unë besoj se duhet të ndodhë, sipas edhe konkluzave të Këshillit të BE-së të vitit 2013, është që të shohim një avancim sa më të përshpejtuar të integrimit të strukturave të sigurisë dhe zhbërjes së elementeve të tyre, sipas marrëveshjes.

Sepse, fillimi i punës së gjykatësve serbë, angazhimi më i madh i policëve, shuarja e “Mbrojtjes civile”, do ta rriste sigurinë te qytetarët dhe besimin në proces dhe që menjëherë, krahas avancimit të integrimit të komunave serbe, të fillojë edhe dialogu për Asociacionin. Si temë, kjo çështje (Asociacioni) ndoshta do të jetë çështja më delikate e procesit dhe do të zgjasë më shumë kohë.

Kështu që, paralelisht, do të mund të shihnim një avancim sa i përket punës së Asociacionit, me integrimin e komunave, që në fund të jetë elementi që përmbyll integrimin e komunitetit serb në juridiksion të Kosovës apo edhe të përmbyllë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Kam frikë, që në fund, do të vijmë në një situatë, ku në minutat e fundit para vendimit të Këshillit të BE-së dhe vendimit edhe të BE-së, Beogradi dhe Prishtina do të merren vesh për procese, të cilat përsëri do të jenë shumëkuptimshme dhe do të lënë hapësirë për interpretim dhe për dialogim me muaj, e ndoshta me vite të tëra.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG