Ndërlidhjet

Ende nuk ka rifilluar ndonjë proces i ri i privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës, pas dështimit të dytë që kishte pasur në fund të vitit 2013.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe të telekomunikacionit, në prononcimet dhënë për Radion Evropa e Lirë, gjendjen e kësaj kompanie nuk e quajnë të kënaqshme.

Privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, nuk e konsideron si një proces i cili duhet të ndodhë tani, kur aktualisht, siç thekson ai, vlera e kësaj kompanie ka rënë në treg.

“Nxjerrja e menjëhershme në shitje të PTK-së vetëm çka do ta devalvonte edhe më shumë këtë kompani. Për këtë arsye, është shumë më i pranueshëm koncepti që së pari kompania të forcohet, të rrisë ofertën, të jetë shumë më afër konsumatorëve të saj, dhe tek në një periudhë tjetër kur gjendja në treg është më e pranueshme, të shitet pjesërisht”, shton Rexhepi.

Në programin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2015 – 2018 është theksuar se privatizimi i ndërmarrjeve publike duhet të ndodhë, por vetëm atëherë kur privatizimi si proces do ta maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve të tjera që ndërlidhen me privatizimin.

Në rastin e Postë - Telekomit të Kosovës është thënë se Qeveria e Kosovës do ta rishikojë strategjinë ekzistuese për privatizimin e saj.

Naim Zeqiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim Publik në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës aktualisht është e angazhuar që të përmirësojë performancën e PTK-së, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve dhe rritjes së vlerës së saj.

“Për momentin nuk mund të thuhet saktësisht se cila do të jetë e ardhmja e kësaj kompanie, që sot për sot është ndër Ndërmarrjet Publike më profitabile në vend”, thekson Zeqiri

Sa i përket mundësisë së nisjes së një procesi të privatizimit për Postë Telekomin e Kosovës, shton Zeqiri, qeveria ashtu siç e parasheh edhe me programin e saj, fillimisht do të rivlerësojë strategjinë për PTK-në.

“Ky rivlerësim i Strategjisë do t’i shërbej qeverisë që në bazë të analizave të mirëfillta ekonomike që mbështeten në ekspertizë, të vendosë për të ardhmen e saj pa paragjykuar atë”, vlerëson Zeqiri .

Eksperti i telekomunikacionit, dikur drejtor në PTK, Agron Dida, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente nuk janë duke bërë përpjekjen më të vogël që të ngrejnë vlerën në treg të kësaj kompanie.

“Kjo qeveri, duke përfshirë edhe menaxhmentet e PTK-së, tani e sa vite janë duke bërë përpjekje vetëm që ta ulin vlerën e kësaj kompanie. Këta qeveritarë nuk kanë kredibilitet të bëjnë asgjë. Unë jam shumë pesimist dhe mendoj që vlera e Postë Telekomit të Kosovës do të bie vazhdimisht, pasi që po punohet në dirigjimin e blerësve, të cilët janë të interesuar që të zvogëlojnë çmimin”, vlerëson Dida.

Oferta prej 277 milionë euro e kompanisë gjermane AXOS - Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, ishte shpallur fitues në shitjen e 75 për qind të aksioneve, por vendimi ishte pezulluar më pas kur procesi i privatizimit nga Qeveria e Kosovës ishte shpallur i dështuar.

Për të rritur vlerën në treg të Postë - Telekomit të Kosovës, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se ky proces duhet të zhbllokohet, si dhe të përvetësohen teknologjitë e reja që ndodhin në botën e telekomunikimit.

“E gjithë kjo mund të bëhet qoftë përmes formave të kreditimit apo edhe me financime të ndryshme nëse ka nevojë, edhe me ndihmat afat - shkurtër, të lehta, pa implikime buxhetore nga Qeveria e Kosovës”, shton Rexhepi.

Sidoqoftë, që nga fillimi i procesit të Privatizimit të PostëTelekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar miliona euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjik.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG