Ndërlidhjet

Rusi: Gazeta e ka prerë artikullin për ushtarin në Ukrainë


Ilustrim

Ilustrim

Reporterët në një gazetë të Siberisë në Rusi thonë se i kanë kaluar tri ditë për ta prerë me gërshërë një artikull për një ushtar rus, i cili ishte plagosur, derisa kishte luftuar së bashku me kryengritësit prorusë në Ukrainë.

Ata thanë se është dashur të prehen 50 mijë kopje të gazetës.

Rasti i tankistit rus, Dorzhi Batonmukuyev, i cili ka luftuar në pjesën lindore të Ukrainës, i është shtuar asaj që Kievi dhe NATO-ja thonë se është dëshmi e pakthyeshme për mbështetje direkte ushtarake të Rusisë për kryengritësit në konfliktin me forcat qeveritare.

Nga ky konflikt, prej prillit të vitit të kaluar, janë vrarë më se 6 mijë njerëz.

Rusia i ka hedhur poshtë pohimet se ka ushtarë dhe armatim në territorin e Ukrainës.

Pos, që është prerë me gërshërë nga të gjitha kopjet e gazetave, artikulli është larguar edhe nga faqja në Internet.

Kryeredaktori i gazetës, Novaya Buryatia, Timur Dugarzhapov, i tha dje Radios Evropa e Lirë, se gazeta nuk ishte urdhëruar nga autoritetet për ta larguar artikullin, por vendosi ta bëjë këtë pas “shumë komenteve të urrejtjes që u paraqitën në Internet”.

Gazeta e pavarur moskovite, Novaya Gazeta, muajin e kaluar e ka publikuar një intervistë me ushtarin rus, Dorzhi Batonmukuyev, i cili vuan nga djegiet e rënda dhe ende ndodhet në spital , me ç’rast ai e ka përshkruar detajisht se si forcat e armatosura ruse kanë marrë pjesë në betejat në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG