Ndërlidhjet

Rastet e korrupsionit edhe për 14 vjet të pazgjidhura

  • RFE /RL

Sistemi prokurorial i Kosovës, sipas një monitorimi të bërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, nuk ka arritur të ulë numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit.

Në raportin monitorues të Institutit të Kosovës për Drejtësi, shihet se në sistemin prokurorial të Kosovës ka lëndë të pazgjidhura të korrupsionit që datojnë që nga viti 2001.

“Kjo dëshmon se qytetarët dhe agjencitë e ndryshme që e zbatojnë ligjin, kanë bërë kritika të drejta ndaj punës se prokurorive pasi që kanë parashtruar kallëzime penale për rastet e korrupsionit, para më shumë se një dekade dhe ende nuk janë zgjidhur”, thuhet në raportin e Institutit.

Në këtë raport, thuhet se që nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit për rritjen e efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit, në nëntor të vitit 2013 deri në dhjetor të vitit 2014, prokuroritë kanë pasur në punë 1604 raste të dyshuara për korrupsion.

Prej këtij numri të përgjithshëm, thuhet në monitorimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 556 raste.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se në përgjithësi kjo është një performancë e dobët e prokurorëve në zgjedhjen e rasteve të korrupsionit. Më shqetësuese sipas tyre është mënyra e zgjidhjes së rasteve ku më shumë se gjysma e tyre janë raste të hudhura, apo të pushuara dhe kjo dëshmon për probleme serioze të parashtruesve të rasteve dhe prokurorëve”, thuhet në raport.

Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren institucionet përkatëse.

Në vitin 2014, Kosova kishte shënuar një përmirësim të lehtë por jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.

XS
SM
MD
LG