Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: "Afera e përgjimeve" dobëson betejën ndaj korrupsionit


Shkup

Shkup

Organizatat joqeveritare në Maqedoni, të cilat në fokus kanë luftën kundër korrupsionit, vlerësojnë se "afera e përgjimeve", e publikuar nga Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, në bazë të së cilës pretendohet përfshirja e zyrtarëve shtetërorë në afera të dyshimta, ka nxjerrë në pah mos funksionimin e institucioneve të shtetit, të cilat janë të obliguara me ligj për të luftuar këtë dukuri.

Sllagjana Taseva nga organizaata joqeveritare, "Zero Tolerancë ndaj Korrupsionit", thotë se "heshtja e Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit është e patolerueshme, në situatën kur kemi të bëjmë me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera korruptive".

“Për mua është shumë e pakuptimtë heshtja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, të cilët nuk veprojnë në përputhshmëri me ligjin kundër korrupsionit, edhe pse ata janë përgjegjës për ta implementuar të njëjtin. Kjo heshtje e vë në pikëpyetje edhe funksionalitetin e këtij organi, ngase nuk arrin t`i kryejë obligimet e përcaktuara me ligj”, thekson Taseva.

Ndërkohë, Arif Musa, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thotë se politizimi i skajshëm i institucioneve, përkatësisht organeve shtetërore, të cilat duhet të luftojnë korrupsionin, është ajo që sipas tij, e bën Maqedoninë ta humbë luftën ndaj kësaj dukurie.

“Kredibiliteti i organeve shtetërore të cilat janë të obliguara të luftojnë këtë dukuri është humbur. Njëherit, mos-reagimi në afatet e përcaktuara me ligj, nga ana e këtyre institucioneve, që sipas opozitës, bëhet fjalë për raste të rënda, ndikojnë në rritjen e mosbesimit ndaj organeve shtetërore”, thekson Musa.

Nga ana tjetër, Ana Janevska Delevska, nga organizata joqeveritare "Transparencë për Maqedoninë", konsideron se vendi është futur në një krizë të thellë politike, përkatësisht qytetarët kanë humbur në masë të konsiderueshme besimin ndaj institucioneve të drejtësisë.

Sipas saj, rastet të cilat lidhen me korrupsionin në asnjë mënyrë nuk mund të marrin epilog juridik, paraprakisht pa patur zgjidhje politike të situatës së krijuar.

“Çka nënkuptojmë me zgjidhje politike? Dorëheqjen e menjëhershme të ministrave, drejtuesve të institucioneve shtetërore, të cilat pretendohet se janë të involvuar në krim. Ne madje kemi kërkuar disa herë edhe nga Prokurori Publik Marko Zverlevski, që të japë dorëheqje, por deri më tani s`kemi marrë asnjë përgjigje", thekson Dellevska.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, janë të mendimit se për të luftuar me sukses krimin e organizuar, elitat politike fillimisht duhet pranuar hapur se është i pranishëm korrupsioni në vend dhe më pas nevojitet një qasje sistematike nga ana e të gjitha pjesëve të shoqërisë. Në të kundërtën Maqedonia do të humb betejën në luftën kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG