Ndërlidhjet

SHBA paralajmëron Iranin për situatën në Jemen


John Kerry
John Kerry

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin kundër mbështetjes për rebelët shiitë Huthi në Jemen, duke thënë se ato nuk do të bëjnë “sehir” nëse Teherani destabilizon rajonin.

Paralajmërimi nga Sekretari amerikan i Shtetit vjen derisa Teherani bën thirrje për bisedime paqësore për zgjidhjen e krizës në Jemen.

Duke folur për televizionin amerikan PBS, John Kerry ka thënë se Uashingtoni e di se Irani është duke ndihmuar rebelët në Jemen.

“Jemi shumë të shqetësuar me atë që po ndodh atje. Shihet qartë se ka furnizime që janë dërguar nga Irani. Ka disa fluturime për atje çdo javë dhe ne e dimë. Jemi të vetëdijshëm për mbështetjen që Irani i jep Jemenit. Irani duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë sehir nëse rajoni destabilizohet ose njerëzit angazhohen në luftë të japur”, ka thënë Kerry.

Kerry ka shtuar se SHBA-ja do të mbështesë çdo shtet në Lindjen e Mesme që ndjehet i kërcënuar nga Irani.

“Ne nuk kërkojmë konfrontim, natyrisht. Por, nuk do të largohemi nga aleancat tona, miqësitë tona dhe nevoja për të qëndruar me ata që ndjehen të kërcënuar si pasojë e zgjedhjeve që mund të bëjë Irani”, ka thënë Kerry.

SHBA ka rritur mbështetjen për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili sulmon caqet e rebelëve shiitë Huthi në Jemen.

Këta të fundit janë duke luftuar forcat qeveritare për të marrë kontrollin e qyteteve. Ata kanë marrë pjesë të mëdha të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Irani, i cili mohon se u ka ofruar ndihmë rebelëve Huthi, ka dërguar një shkatërrues ushtarak dhe një anije tjetër në ujërat pranë Jemenit.

Mediat shtetërore në Iran kanë cituar admiralin Habibollah Sayyari duke thënë se anijet janë pjesë e një fushate kundër piraterisë, e cila ka për qëllim "të ruajë rrugët detare për anijet në rajon".

Në një fjalim televiziv sot, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka kërkuar ndalimin e fushatës së sulmeve ajrore në Jemen, e cila ka nisur që dy javë.

Rohani ka thënë se vendet në rajon duhet të punojnë për të sjellë fraksionet rivale të Jemenit në tryezë të bisedimeve.

“Një komb i madh si Jemeni nuk do t’iu gjunjëzohet bombardimeve. Të mendojmë për fundin e luftës, të mendojmë për armëpushim”, ka thënë Rohani.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se së paku 560 njerëz janë vrarë dhe rreth 1,700 të tjerë janë plagosur në Jemen në periudhën 19 mars – 4 prill. Po ashtu, rreth 100,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG