Ndërlidhjet

Kushtet e pafavorshme afariste, normat e larta për kredi dhe procedurat e zgjatura për realizimin e kredive, në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë bërë që bizneset në disa raste të marrin para me fajde, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Fajdet janë para të huazuara në mënyrë ilegale, nga qytetarët, me normë të lartë të interesit.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se jo rrallë herë afaristët janë ballafaquar me këtë problem.

Bizneset për të zhvilluar veprimtarinë e tyre, në mungesë të mjeteve materiale dhe procedurave të komplikuara dhe të zgjatura për realizimin e ndonjë kredie në bankë, sipas Shahinit, janë detyruar të huazojnë para në mënyrë ilegale.

Nga këto veprime, Shahini ndërkaq thotë se jo pak biznese edhe kanë falimentuar, pasi norma mujore e fajdeve kalon mbi 15 për qind.

“Ky interes shkon nga 10 deri në 15 për qind në nivel mujor, ka raste edhe më pak edhe më shumë. Ka raste kur edhe u është marrë biznesi, shtëpia, depo të ndryshme dhe pastaj bizneset kanë pasur një rrugë, ose të japin kapitalin (patundshmërinë) ose ta lëshojnë Kosovën. Ka pasur raste kur njerëzit kanë braktisur vendin për shkak të fajdeve dhe haraçeve".

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, thonë se politikat jo të favorshme kreditore kanë ndikuar që bizneset të huazojnë para në mënyrë ilegale.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se kjo lloj dukurie po i “fundos“ bizneset, madje në disa raste konfliktet po përfundojnë me fatalitet.

“Këto nuk janë të lejueshme, por unë sa e di është një rrjet shumë i madh dhe dominon në biznesin tonë. Tashmë ka dalë në “shesh” kjo punë. Unë madje frikësohem se mund të ketë edhe ngatërresa fatale për arsye se njerëzit futen në borxhe të mëdha dhe në pamundësi për t'i kthyer ato, vijnë deri te konflikti, vjen deri te më e keqja. Prandaj, duhet të merren masa urgjente që të ndalohet kjo dukuri që edhe ashtu është ilegale”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës, thonë se ka pasur raste që kanë arrestuar persona që japin hua ilegale dhe të tillët i kanë adresuar te organet e drejtësisë.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë thënë se që nga viti 2003 e deri më tani, ka pasur 56 persona të dyshuar të cilët janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme në Kosovë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë këtij viti janë arrestuar tre persona, vitin e kaluar 30 kurse në vitin 2013 janë raportuar 23 raste.

Por, Agim Shahini mendon se numri mund të jetë shumë më i lartë. Sipas tij, këto veprime realizohen në mënyrë sekrete, si nga huadhënësi, po ashtu edhe nga huamarrësi.

“Mendoj se numri është tepër më i lartë, mund të jetë 4-5 -6 fishi e më tepër, sepse këta njerëz që kanë kapital dhe japin para me fajde, përdorin palë të treta, të katërta dhe është shumë e vështirë të zbulohet pronari kryesor. Kjo mbetet shumë sekret, dhe asnjëherë nuk mund të dihet se kush është ai që ka këtë kapital në duar dhe xhepa”, thekson Shahini.

Veprimet e tilla ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG