Ndërlidhjet

Jahjaga dënon aktet e dhunës në Mitrovicë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënon ashpër aktet e dhunës që ndodhën në 24 orët e fundit në Mitrovicë ku në tri incidente të ndara janë lënduar 5 qytetarë, dy shqiptarë, dy boshnjakë dhe një pjesëtar i komunitetit serb.

Në një komunikatë për media, presidentja Jahjaga thekson se incidentet e tilla janë të papranueshme, në një kohë që institucionet e Republikës së Kosovës po angazhohen për ruajtjen e stabilitetit dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në gjithë vendin dhe kur vendi ynë po dëshmohet si promovues i paqes dhe i stabilitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore”.

Presidentja fton të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të përmbahen nga aktet e tilla të dhunës dhe të dëshmojnë pjekuri qytetare dhe politike. Ajo vlerëson se këto veprime nuk i kontribuojnë rikthimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë si dhe dëmtojnë përpjekjet shumëvjeçare të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miqve ndërkombëtarë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Presidentja Jahjaga i fton institucionet e drejtësisë që të veprojnë me shumë profesionalizëm dhe sa më shpejt të zbardhen rrethanat të cilat quan deri tek këto incidente, të identifikohen kryesit e tyre dhe të njëjtit të nxirren para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG