Ndërlidhjet

Maqedoni: Lustrimi, shpërdorim për qëllime politike


Ilustrim

Ilustrim

Procesi i lustrimit në Maqedoni, apo i pastrimit me bashkëpunëtorët e shërbimit sekret në periudhën e regjimit të kaluar, apo edhe në fillimet e demokracisë duhet të ndërpritet pasi është shndërruar në mjet të revanshizmit politik nga ana e pushtetit aktual me të gjithë ata që kundërshtojnë politikat e tij, vlerëson Stojan Andov, iniciator për sjelljen e ligjit për lustrim në vitin 2008.

Reagimi i tij vjen pas publikimit nga ana e opozitës të audio-incizimeve me bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë, të cilët kërkojnë nga kreu i komisionit, Tome Axhiev, të lustrojë personalitete të caktuara, në rastin konkret një gjykatës ta shpallë spiun të ish-regjimit për shkak se nuk i bindet urdhrave të tyre.

Andov, i cili ka qenë edhe kryetar i Kuvendit, thotë se politikanët që kanë ndërhyrë në punën e komisionit duhet të ndiqen penalisht.

“ Kjo, faktikisht, paraqet keqpërdorim të pushtetit. Duhet të përcaktohet nëse ekziston bazë ligjore që të ndiqen penalisht, nëse nuk ke një bazë të tillë, atëherë duhet të sillet një normë ligjore për të sanksionuar ndërhyrjet e tilla që shkelin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

“Kemi të bëjmë me rast që është bërë me vetëdije të plotë, kemi urdhër se si të veprojë komisioni, kjo paraqet vepër penale”, thotë Andov duke shprehur pakënaqësinë e tij të plotë me mënyrën se si po udhëhiqet procesi i lustrimit, në kundërshtim me të gjitha kriteret të parapara me ligj.

Kreu i komisionit, Tome Axhiev në një prononcim për mediat, ka përjashtuar mundësinë që të jetë ndikuar nga partitë në pushtet gjatë marrjes së vendimeve. Sipas tij, “kërkesa për lustrimin e ndonjë personaliteti është e lejuar, por kjo nuk do të thotë se edhe të miratohet”.

Por, pavarësisht kësaj deklarate, ekspertët rastin e quajnë si katastrofal dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Margarita Caca Nikollovska, ish-gjykatëse në gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, thotë se dëshmitë e publikuara nga ajo që njihet si “aferë e përgjimeve”, vetëm sa vërtetojnë pohimet se “lustrimi është bërë mjet për luftimin e kundërshtarëve politikë.

“Nëse kështu është kuptuar lustrimi, atëherë kjo paraqet katastrofë për Maqedoninë. Kjo dëshmon se ky komisioni është mjet i pushtetit për të ndjellë frikë, presione dhe për të dëmtuar njerëzit”, konsideron Nikollovska.

Ngjashëm vlerëson edhe Shpëtim Pollozhani, nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë, shumica e të cilëve kanë qenë viktima, pikërisht të veprimtarive të ndryshme të spiunimit. Ai kërkon që komisioni të ndërpresë menjëherë punën e tij.

“Fatkeqësia më e madhe tani është se ky komision përdoret për pazare partiake dhe ditore. Konsideroj se ai ka dështuar krejtësisht, andaj do të ishte më mirë që paratë që do të për veprimtarinë e komisionit, le t’i ndahen ndonjë shoqate humanitare, pasi mendoj se do të kishte më shumë efekt se sa kështu siç vepron”, thotë Pollozhani.

Ndryshe, komisioni për lustrim deri më tani ka shpallur për spiunë apo bashkëpunëtor të ish-sigurimit të shtetit më shumë 180 persona, të cilëve u ndalohet bartja e funksioneve publike, në mesin e tyre ka edhe emra të njohur që në vazhdimësi kanë qenë kritikues të pushtetit.

XS
SM
MD
LG