Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ulja e rezervave devizore - sinjal i keq


Ilsutrim

Ilsutrim

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni konsiderojnë se ulja e rezervave devizore të shtetit, paraqet sinjal të keq për ekonominë e vendit.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se politikat ekonomike të Maqedonisë, që me vite ishin fokusuar vetëm në projekte jokapitale dhe jo stimulimin e kompanive, prodhimet e të cilave janë të drejtuara jashtë vendit, kanë ndikuar në uljen e rezervave devizore.

“Mungesa e një shkëmbimi tregtar stabil, sigurisht se ulja e eksportit nga ana e kompanive maqedonase në tregun e jashtëm, të cilët do të sillnin deviza në vend, ndikon dukshëm në nivelin e ulët, përkatësisht jo të qëndrueshëm të rezervave shtetërore në valuta të huaja”, vlerëson Halili.

Si element shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, Halili fokuson dhe rënien e mjeteve, të cilat mërgimtarët i sjellin në Maqedoni në formë të remitencave.

“Do të theksoja se ulja e rezervave devizore ëshë si rezultat i zvogëlimit të sjelljes së mjeteve devizore nga ana e mërgimtarëve, respektivisht diasporës në përgjithësi. Dhe, sigurisht se në një moment kur të ardhurat devizore nga jashtë shënojnë rënie të theksuar, nuk mund të presim që të kemi një bilanc stabil të rezervave devizore”, konsideron Halili.

Nga ana tjetër, ish- guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Lube Tërpeski, thotë se në uljen e rezervave devizore të shtetit ka ndikuar dhe devalvimi i euros në raport me dollarin, ngase siç thekson ai, pjesa më e madhe e rezervave devizore në Maqedoni është në euro.

“Po devalvimi i euros ndaj dollarit, që njihet si dallim i kurseve ka impakt të drejtpërdrejtë në këtë. Madje edhe qytetarët e Maqedonisë kryesisht kur bëhet fjalë për zgjedhjen e valutave të huaja, përcaktohen për euron”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Tërpeski.

Ai vlerëson se ulja drastike e rezervave devizore të shtetit parqet një rrezik të madh për ekonominë e vendit.

Nëse në mënyrë drastike shënojnë ulje rezervat devizore të shtetit, kjo do të thotë se diçka nuk është në rregull me politikat ekonomike në vend dhe diçka duhet ndryshuar. Por, unë tendenca të këtilla nuk shoh”, potencon Tërpeski.

Edhe Arben Halili konsideron se kjo paraqet një sinjal të qartë për paqëndrueshmëri, përkatësisht moslikuiditetin e vendit për të bërë shitblerjen e mallrave me vendet e jashtme.

“Në një situatë ku Maqedonisë do t`i mungojnë deviza, ajo do të jetë e detyruar të bëjë blerjen e devizave me një kosto më të lartë në tregun e hapur valutor. Sigurisht se kjo ndodh si rrjedhojë e mungesës së tregtarëve të huaj të mallrave maqedonase, të cilët do të sillnin deviza, ose e shitjes së prodhimeve të kompanive maqedonase në tregjet e huaja”, thekson Halili.

Ndryshe, Banka Popullore e Maqedonisë në raportin e saj të fundit, uljen e rezervave devizore të shtetit e ka arsyetuar me kthimin para kohe të borxhit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Po sipas këtyre të dhënave, rënie më e theksuar e rezervave devizore të shtetit është regjistruar te letrat me vlerë me rreth 143 milionë euro.

Ndërkohë, për 10 milionë euro është ulur vlera e arit e shprehur në monedha në kuadër të rezervave devizore të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG