Ndërlidhjet

logo-print

Synime reale për integrime - realizimi me pengesa


Synimet që i ka vënë para vetes Qeveria e Kosovës lidhur me integrimet evropiane janë reale, por ende kërkohet mjaft punë dhe përmbushje e kritereve të caktuara për realizimin e synimeve, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Javë më parë, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka theksuar në Kuvendin e Kosovës se “synimet afatshkurta për këtë vit do të jenë, nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim - Asociim, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe të bindet Komisionin Evropian që brenda këtij viti të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, vlerëson se pretendimet për nënshkrimin i Marrëveshjes për Stabilizim- Asociim, janë reale, në rast se nuk paraqiten komplikime me vendet e Bashkimit Evropian.

“Shpresojmë që nuk do të hasim në ndonjë komplikim, marrë parasysh që 5 vende të BE-së nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Është mirë që Qeveria të jetë transparente, sepse ajo marrëveshje, e cila është negociuar, nuk është publikuar asnjëherë”, shprehet Muharremi.

Edhe Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson se nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është i mundur këtë vit, por, sipas tij, një gjë e tillë nuk e prejudikon edhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Hyrja në fuqi e marrëveshjes, sipas tij, nuk mund të ndodhë pa ratifikimin e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Në rastin e Kosovës, ratifikimi nuk mund të fillojë fare, sepse pesë shtete nuk e kanë njohur subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Kosovës. Në parlamentet e këtyre shteteve, nuk mund të procedohet ratifikimi i një marrëveshjeje, përderisa nuk njihet subjektiviteti juridik ndërkombëtar i Kosovës”, thekson Mazreku.

Në anën tjetër, sipas Mazrekut, për sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një gjë e tillë ka mundur të ndodhë edhe më parë. Por, siç thotë Mazreku, një nga problemet kyçe që i ka Kosova, është themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.

“Gjykata Speciale, duhet t’i paraprijë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Së paku, aktualisht, kështu duket konstruksioni politik për Kosovën. Mirëpo, dorëzimin e aplikacionit nga ana e Kosovës në Këshillin e Evropës, asgjë nuk e ka penguar Kosovën, as në të kaluarën e as tani”, vlerëson Mazreku.

Edhe, Muharremi vlerëson se Kosova ka mundur të aplikojë edhe më herët për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës është treguar e matur në këtë rast.

“Qeveria e Kosovës, më herët ka mundur ta bëj një gjë të tillë. Por, unë mendoj se ata e kanë një qasje më të matur. Ata dëshirojnë të sigurohen që i kanë votat e mjaftueshme, para aplikimit. Unë mendoj që nuk do të aplikojë, përpara se të sigurohet që përgjigja do të jetë pozitive për ne”, konsideron Muharremi.

Ai shton, gjithashtu, se edhe rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, është pritje reale se mund të ndodhë këtë vit.

“Për shkak se Qeveria e Kosovës ka mundësi që t’i përfundojë të gjitha kushtet deri në fund të vitit, për liberalizim të vizave dhe të merret vendimi. Por, kjo nuk do të thotë që nëse merret vendimi, menjëherë në janar do të jetë i mundur udhëtimi. Thjesht, mund të shkojnë edhe disa muaj për procedura ligjore”, shton ai.

Por, Mazreku shprehet mjaft skeptik lidhur me mundësinë që Kosova të marrë shpejt liberalizimin e vizave.

“Edhe në qoftë se Komisioni Evropian rekomandon për Kosovën, unë prapë shoh probleme politike për sa i përket vendimit në Këshill (të Bashkimit Evropian) për t’u liberalizuar vizat për Kosovën. Pikërisht, prapë, për shkakun se disa nga vendet e zonës Schengen nuk e kanë njohur Kosovën. Prandaj, nga konteksti legal juridik, është relativisht situatë e komplikuar që të mund të ndodhë një rast i tillë dhe që në fakt të rezultojë me një vendim pozitiv nga ana e Këshillit. Unë jam relativisht skeptik”, shprehet Mazreku.

Ndryshe, Mazrekaj potencon se, ndonëse ka zëra që thonë se migrimi jolegal, i cili ka ndodhur kohët e fundit nga Kosova, nuk do të ndikojë në plotësimin e kritereve për Kosovën për liberalizim të vizave, sipas tij, kjo do ta atakojë drejtpërdrejtë këtë proces.

Kjo për faktin se, siç thotë ai, migrimi reflekton jo qëndrueshmëri në tri drejtimet që janë bazë për këtë proces, stabiliteti ekonomik, politik dhe juridik.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG