Ndërlidhjet

Shkup: Polemika për "kaosin" politik


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Maqedonisë të mbajtura një vit më parë, jo që nuk e kanë zgjidhur krizën politike, por kanë përkeqësuar edhe më shumë ndasitë mes partive dhe rrjedhimisht gjendjen e përgjithshme në vend, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Por, ata kanë vlerësime të ndryshme për atë se kush është fajtor që Maqedonia ndodhet në një gjendje që për momentin duket pa rrugëdalje.

Analisti, Xhelal Neziri, thotë se fajtor kryesor për tensionet në rritje, janë partitë në pushtet, që, sipas tij, "falsifikuan në mënyrën më brutale zgjedhjet e fundit, e që dëshmohet edhe me atë që quhet aferë e përgjimeve"...

“Zgjedhjet e para një viti ishin zgjedhjet më skandaloze që janë mbajtur ndonjëherë në Maqedoni. Pra, partitë në pushtet ngushtuan deri në maksimum hapësirën e të gjitha partive opozitare, duke sjellë votues nga jashtë, duke dhënë letërnjoftime pa kontroll, duke shkaktuar kaos me listat votuese, e kështu me radhë".

"Kjo vetëm sa dëshmohet me “bombat” e opozitës apo “aferën e përgjimeve” se si është ndikuar mbi gjithë institucionet, apo se si ato janë politizuar për qëllime zgjedhore, vetëm sa vulosë konstatimet se zgjedhjet ishin të falsifikuara”, thotë Xhelal Neziri, komunikolog dhe njohës i çështjeve politike.

Por, ndryshe nga ai vlerëson, Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Hulumtimin e Politikave “Libertas”. Ai për gjendjen e krijuar fajëson para se gjithash opozitën, për shkak të vendimit për të mos njohur rezultatin zgjedhor dhe bojkotimin e Kuvendit.

“Problemet filluan atëherë kur opozita nisi bojkotin e Kuvendit. Probleme çdo herë do të kemi nëse njëra palë ndërmerr veprime të tilla për të shkaktuar krizë politike në shtet. Kjo ka ndodhur edhe në këtë rast, me vendimin e opozitës për të mos njohur rezultatin dhe bojkotin e Kuvendit".

"Pra, kriza filloi atëherë ndërsa vazhdoi me paraqitjen e momenteve të reja të audio-incizimeve dhe tani kemi një situatë të re kur të dyja palët nuk mund të ulen për të biseduar për dalje nga gjendja e krijuar”, thotë Bozhinovski, pa komentuar debatet e fundit dhe pretendimet e opozitës se “shkak për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor është falsifikimi brutal i zgjedhjeve”.

Bozhinovski thotë se kriza mund të kapërcehet vetëm me dialog mes palëve, por jo edhe me zgjedhje të reja. Ai vlerëson se një rol të rëndësishëm mund të luajë komuniteti ndërkombëtar.

“Nuk ka asnjë arsye apo asnjë argument që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ato janë mbajtur dhe kriza është si rezultat i bojkotit. Së pari partitë duhet të ulen dhe të bisedojnë për kapërcimin e krizës politike. Zgjedhjet më së shumti do t'i konvenonin partive në pushtet, pasi vlera e tyre është shumë e lartë”, thotë Bozhinovski.

Por, të kundërtën vlerëson analisti, Xhelal Neziri. Ai beson se pikërisht zgjedhjet e lira dhe demokratike mund të jenë çelësi për zgjidhjen e krizës.

“Një vit pas zgjedhjeve, Maqedonia është në një krizë të thellë dhe shumë të rrezikshme e cila mund të kalojë në një konflikt politik, por dhe ndëretnik. Kjo krizë mendoj se mund të zgjidhet vetëm me një qeveri teknike, e cila do të jetë e aftë që të normalizojë vendin, të departizojë institucionet dhe të krijojë atmosferë për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”, theskon Neziri.

Ndryshe, në Bruksel, këtyre ditëve pritet të rifilloj raundi i ri i negociatave mes pozitës dhe opozitës, por bazuar në qëndrimet e partive nga takimi i parë, zgjidhja duket e paarritshme. Opozita mbetet në qëndrimin për qeveri teknike, kërkesë kjo që refuzohet në mënyrë kategorike nga VMRO DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

XS
SM
MD
LG