Ndërlidhjet

logo-print

Kompleksi turistik “Brezovica”, këto ditë pritet të shndërrohet në pronë private, pasi kontrata në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë fituese për koncesionim e kësaj qendre pritet të formalizohet shumë shpejtë.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 410 milion euro.

Më këto investime, qendra e skijimit “Brezovica “pritet të shndërrohet në resor të nivelit botëror, që do të ofrojë aktivitete të ndryshme gjatë tërë vitit.

Ky projekt, nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës është konsideruar si projekti më i madh që nga përfundimi i luftës. Kurse, ekspertë për çështje të turizmit dhe ekonomisë, pohojnë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë monitoruese e investimeve të premtuara.

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në parim e përkrah procesin e koncesionimit, por që autoritetet kompetente në Prishtinë, sipas tij, duhet të kenë qëndrim korrekt ndaj investitorit, por edhe qëndrim strikt në të gjitha aspektet.

“Pala kosovare e cila është nënshkruese dhe përgjegjëse për realizmin e projektit duhet të jetë korrekte në raport më investitorin. Por, gjithsesi duhet të jetë strikte në të gjitha aspektet, si në aspektin ekonomik, social dhe politik të këtij procesi të rëndësishëm për Kosovën”, tha Çeku.

Ndryshe, konsorciumi francez ka premtuar se do të krijohen mbi 3000 vende pune. Por, propozimi parasheh që investimet të realizohen në faza.

Gjatë periudhës të caktuar me marrëveshje, periudha fillestare gjatë 3 vjetëve të para, parasheh 165 milion euro investime.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq konsiderojnë se nënshkrimi i kësaj kontrate është i rëndësisë se veçantë, pasi realizimi i këtij projekti do të ndikojë në uljen e shkallës se papunësisë, por edhe përmirësimin e imazhit të Kosovës karshi investitorëve të huaj.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se realizimi i këtij projekti ka domethënie më te madhe se sa ekonomike.

"Besoj se është mundësia më e mirë, që jo vetëm të kemi kapital të freskët nga investitorët e huaj, por të përmirësohet imazhi dhe të rritet atraktiviteti i Kosovës për investitorë të huaj. Duke përmirësuar imazhin, në të njëjtën kohë promovohet Kosova si një shtet i cili ka një dimension krejt të ri dhe një qasje më pragmatike rreth turizmit dhe mundësisë së shfrytëzimit të resurseve turistike të Kosovës,“ tha Gërxhaliu.

Kurse Naser Graiçevci, thotë se qarkullimi i kapitalit të huaj në Republikën e Kosovës do të ringjallë ekonominë e vendit.

“Ne besojmë se konsorciumi do të avancojë në punët e veta, besojmë se në përgjithësi jo vetëm që do të kemi një qendër skijimi moderne jo vetëm në Ballkan, por kjo do të zbutë edhe papunësinë dhe përmes investimeve të huaja do të shtohet qarkullimi i kapitalit vendor“, shprehet Graiçevci.

Sidoqoftë, pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kontrata nuk do të hyjë në fuqi të plotë për një periudhë prej 6 muajsh.

Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe apo në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit.

Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG