Ndërlidhjet

Clinton duhet të shpjegojë përse e do postin e presidentes


Ilustrim
Ilustrim

Hillary Clinton fillon garën si favorite e Demokratëve për kandidatin presidencial, shkruan sot gazeta Financial Times. Për dallim nga viti 2008, kur kandidatura e saj është zbehur nga fenomeni Barack Obama, kësaj radhe, edhe strategët politikë, të cilët kanë qenë skeptikë për aftësitë e saj në fushatë, shohin shumë pak mundësi për rivalët e saj demokratë, thekson gazeta.

Ish-sekretarja e Shtetit ka shpallur zyrtarisht kandidaturën të dielën, duke u thënë amerikanëve se do që të jetë kampionia e tyre.

Edhe pse ka shumë kohë deri te zgjedhjet e vitit 2016, gazeta New York Times shkruan se Clinton është nën presion të madh për të shpjeguar, me terma bindës, se përse e do postin e presidentes dhe përse është e përshtatshme për të.

“Nëse ajo mund t’i tregojë vendit se çfarë udhëheqëseje do të jetë, për çfarë brengoset dhe cili është vizioni i saj për të ardhmen, historia me emaile do të bëhej shumë e vogël”, citon gazeta Robert Shrumin, strateg për kandidatët demokratë presidencialë.

Pak muaj më parë është zbuluar se Clinton, gjatë kohës sa ka qenë Sekretare e Shtetit, ka përdorur emailin privat edhe për punët zyrtare.

Njoftimi ka tërhequr vëmendje të posaçme, pasi, sipas ligjit federal amerikan, korrespondenca e zyrtarëve konsiderohet pronë qeveritare e Shteteve të Bashkauara.

Gazeta Washington Post, shkruan se Clinton nuk do të shkaktojë të njëjtin entuziazëm në mesin e të rinjve, sikurse edhe Barack Obama, porse votat e tyre do t’i zëvendësojë me ato të grave.

Washington Post po ashtu shkruan se Clinton duhet të luftojë pabarazinë ekonomike dhe të zotohet se do të bëjë gjërat që Obama nuk ka mundur t’i bëjë. Tregtia gjithashtu do të jetë një çështje e ndërlikuar këtu.

Por, sipas gazetës, ajo nuk mund ta ndërrojë drejtimin e Obamës në politikën e jashtme, por ajo mund të sinjalizojë një rezistencë personale, për të siguruar votuesit që janë disi më agresivë sesa presidenti. Ai dhe ajo duhet të gjejnë mënyra për ta orkestruar këtë dhe kjo nuk do të jetë e lehtë. Negociatat me Iranin do të jenë testi i parë shumë sfidues, shkruan Washington Post.

Clinton ka tashmë mbështetjen e presidentit Obama, i cili ka thënë se ajo do të jetë një “presidente e shkëlqyeshme”. Por, sulmet nga republikanët kanë nisur.

“Duhet të bëjmë poitikë më të mirë të jashtme sesa Obama dhe Clinton, që kanë dëmtuar marrëdhëniet me aleatët tanë dhe kanë inkruajuar armiqtë tanë”, ka shkruar të dielën në Twitter Jeb Bush, ish-guvernator i Floridës dhe vëllai i ish-presidentit George W.Bush, i cili po ashtu kërkon emërimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG