Ndërlidhjet

logo-print

Incidenti i cili ka ndodhur të hënën, rreth orës 1 e 20 minuta, në Mitrovicën e veriut, gjatë kremtimit të festës së Pashkëve ortodokse, rezultoi me tre të plagosur me armë zjarri, si dhe më pas edhe më të shtëna mbi veturën e Policisë së Kosovës, njoftojnë zyrtarët e policisë.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor rajonal i Policisë së Kosovës për veri, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se incidenti i të hënës në Mitrovicën e veriut, është rezultat i përleshjes së dy grupeve rivale nga Mitrovica e veriut dhe Zveçani, të cilat siç ka thënë ai, janë të njohura për policinë edhe më parë për shkak të përleshjeve gjatë festave të ndryshme.

Tre të plagosurit, sipas Hotit, janë jashtë rrezikut për jetë.

“Dy prej tyre janë ndaluar në repartin e kirurgjisë për trajtim, ndërsa i treti është liruar, pasi që ka pasur vetëm gërvishjeqë besohet se ka qenë nga një ‘rikoshet’ i plumbit që është shkrepur. Sidoqoftë, të dy grupet janë të njohura për policinë".

"Përveç kësaj, gjatë kohës sa policia ka qenë në Qendrën spitalore në veri, për të mbledhur shënimet lidhur me rastin, gjithashtu është dëmtuar vetura e policisë. Me këtë rast, me armë zjarri, besohet se janë shkrepur tre plumba mbi veturën e policisë, e cila ka qenë e parkuar dhe pa prezencën e Policisë së Kosovës”.

Ndryshe, incidenti i së hënës në Mitrovicën e veriut është në radhën e disa incidenteve që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit, ndonëse sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovë, këto incidente janë të izoluara dhe të ndara nga njëra tjetra.

Me 9 prill, si pasojë e një incidenti në Mitrovicën e veriut, është plagosur me thikë një 17 vjeçar serb, ndërkohë që sulmuesit ende nuk janë identifikuar.

Me 11 prill, një i ri shqiptar, 17 vjeç, është regjistruar nga Policia e Kosovës si “‘person i humbur” dhe që “besohet se i njëjti gjendet diku në lumin Ibër”. Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e këtij personi po vazhdojnë ende.

Megjithatë, sipas Hotit, të gjitha këto incidente kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët, qoftë në veri, qoftë në jug të Mitrovicës.

“Do t’i referohem incidenteve si të ndara. Por, gjithsesi që incidentet madhore, të cilat përfshijnë edhe përdorimin e armëve të zjarrit, ndikojnë në mendjen e secilit individ dhe familjeve të ndryshme. Prandaj, kjo shkakton një tension në vete, por jo domosdo tregon edhe cenimin e sigurisë së përgjithshme”, ka deklaruar Hoti.

Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përplasjet që krijojnë incidente janë për tu kritikuar.

Sipas saj, qytetarët në Mitrovicën e veriut janë duke pritur që Policia e Kosovës t’i gjej fajtorët për të gjitha veprat që janë kryer në incidentet, veç e veç.

“Për vet faktin se ne e presim një gjë të tillë nga policia, në përputhje me ligjin dhe nëse kjo ndodhë, atëherë do të kontribuohet për uljen e tensioneve. Tensionet janë ngritur mjaft. Unë apeloj, ashtu sikurse edhe kryetari i komunës, që qytetarët të rrinë të qetë. Por, duket se tensionet po zgjerohen”, tha Bozhoviq.

Në anën tjetër, njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se incidentet në veri janë të natyrës ordinere dhe nuk duhet parë si të atilla që shkaktojnë probleme me sigurinë e përgjithshme në vend.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se rrethanat në veri të Kosovës imponojnë vëmendje edhe për incidentet ordinere.

“Kjo, më tepër është njëfarë tendence për t’i dhënë edhe karaktere politike krejt asaj që po ndodhë, për shembull, që incidenteve të zakonshme ose krimet ordinere, që ndodhin edhe çdo kund tjetër, tu japin karakter apo peshë politike, kinse nuk po zgjidhet problemi atje”, theksoi Maloku.

Ndryshe, Hoti ka theksuar se të gjitha incidentet, ashti sikurse edhe këto të fundit në veri të Mitrovicës, duhet trajtuar me gjuhën e argumenteve.

Të gjitha incidentet, sipas tij, kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët.

Por, siç ka thënë ai, lidhur me rastin e personit të humbur, "faktori politik, përkatësisht kryetarët e të dy komunave, të veriut dhe të jugut të Mitrovicës, kanë punuar së bashku, duke ofruar gjithë ndihmën në qetësimin e situatës".

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG