Ndërlidhjet

Pentagoni thotë se grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka humbur kontrollin ndaj pothuajse 17 mijë kilometrave katrorë në Irak, pas disa muajve të sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe ofensivës së forcave të Irakut.

Zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, tha mbrëmë vonë se linjat e frontit të territorit, që mbahet nën kontroll të militantëve të IS-it, janë shtyrë mëtutje në jug dhe në perëndim të Irakut.

Sipas tij, forcat e sigurisë së Irakut dhe sulmet ajrore “pa dyshim kanë shkaktuar një lloj të dëmit” ndaj militantëve të Shtetit Islamik dhe se grupi tash “ngadalë po kthehet prapa”.

Megjithatë, militantët ende e kanë nën kontroll një territor të gjërë që shtrihet nga perëndimi dhe jugu i rajonit Sinxhar, e deri në Mosul dhe Baixhi.

Mëtutje, koloneli Warren tha se luftëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik, e kanë mbajtur ndikimin e tyre në terren në Siri, meqë derisa kanë humbur territore rreth qytetit Kobani, kanë fituar terren rreth Homsit dhe Damaskut.

XS
SM
MD
LG