Ndërlidhjet

Kushtetuesja i jep dritën jeshile themelimit të Gjykatës Speciale


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në lidhje me amandamentet kushtetuese të propozuara nga Qeveria e Kosovës, për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thuhet se kjo Gjykatë, në mbështetje të nenit 113.9 dhe të nenit 144.3 te Kushtetutës së Kosovës, në mbështetje të nenit 20 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullit 56 (1) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur më 14 prill 2015, njëzëri vendosë që të deklarojë të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit, të dorëzuar më 9 mars 2015, me Amandamentin nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

"Gjykata Kushtetuese, konfirmon që Amandamenti nr. 24, nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe në Kapitullin III të Kushtetutës dhe me shkronjën e me frymën e saj, siç është përcaktuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, andaj fton që t’ua kumtojë këtë aktgjykim palëve dhe ta publikojë atë në Gazetën Zyrtare", thuhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pas miratimit nga Gjykata Kushtetuese, tani pritet që Kuvendi i Kosovës t’i nisë procedurat për amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, me anë të një votimi të dyfishtë për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.

Nëse këto amandamente kalojnë, atëherë pritet që të miratohet edhe ligji për themelimin e dhomave të veçanta të prokurorisë dhe gjykatave, të cilat do të udhëhiqen nga ndërkombëtarët dhe do të trajtojnë raste të supozuara të krimeve të luftës, në bazë të një hetimi të prokurorit amerikan Clint Wialliamson.

Hetimet e prokurorit Williamson, mbështeten në raportin e zviceranit Dick Marty, të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi pretendimet e tij për "trafikim organesh të serbëve nga disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte, mbështetet nga partitë e koalicionit qeverisës, por jo edhe nga opozita.

Në prillin e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës pati miratuar marrëveshjen Kosovë – Bashkim Evropian, që mbështetej në letërkëmbimin mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, për vazhdimin e mandatit të EULEX-it deri në qershor të vitit 2016 dhe për themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG