Ndërlidhjet

SHBA: Kompromis për marrëveshjen bërthamore me Iranin

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, thotë se beson se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e vet në bisedimet me Iranin, për programin bërthamor të tij, mund të zhvillojnë negociata për marrëveshje, e cila “botën do ta bëjë më të sigurt”.

Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani, më 2 prill janë pajtuar për marrëveshjen kornizë, me të cilën do të kufizohen aktivitetetet atomike të Iranit, duke ia vështirësuar Iranit zhvillimin eventual të armatimit bërthamor, nëse ai përpiqet ta bëjë këtë, në këmbim për lehtësim të sankisoneve të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evriopian dhe Shteteve të Bashkuara.

Palët e kanë përcaktuar afatin e fundit, 30 qershorin, për arritjen e marrëveshjes finale.

Në komentet e së mërkurës, pasi arriti në Luebek të Gjermanisë për takimin e ministrave të jashtëm të grupit G7, zoti Kerry tha:

“Natyrisht, tash ballafaqohemi me sfidën e përfundimit të negociatave gjatë dy muajve e gjysmë. Të martën është arritur kompromis në Uashington lidhur me përfshirjen e Kongresit. Ne jemi të sigurt për aftësinë tonë që presidenti të negociojë një marrëveshje dhe ta bëjë atë me aftësi që ta bëjë botën më të sigurtë”, tha John Kerry.

Kjo ishte një referencë për legjislacionin, me të cilin Kongresi i Shteteve të Bashkuara do të rishqyrtonte marrëveshjen atomike me Iranin.

Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit amerikan, ka votuar 19:0 në favor të verzionit të plotësuar të Aktit Për Rishqyrtimin e Marrëveshjes Atomike me Iranin të vitit 2015.

Presidenti amerikan Barack Obama, ishte kërcënuar me shfrytëzim të vetos ndaj verzionit të mëparshëm të legjislacionit, por kundërshtimet e tij i ka tërhequr pasi demokratët dhe republikanët arritën kompromis për këtë masë, duke i larguar disa propozime, për të cilat Shtëpia e Bardhë kishte shqetësime se do t’i dëmtonin rëndë gjasët për arritjen e marrëveshjes.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se nëse ndryshimet e propozuara bëhen gjatë një procesi legjislativ, atëherë “do të ishte një lloj kompromisi që presidenti do të ishte i gatshëm ta nënshkruaj”.

Në këtë temë, kryesuesi i Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit, republikani Bob Corker, theksoi:

“Kongresi mbetet i involvuar – nëse arrihet marrëveshje ose nëse nuk miratohet . Çdo 90 ditë, administrata duhet të çertifikoj se në çdo drejtim Irani po bashkëpunon. Nëse ka shkelje, brenda periudhës 10 ditëshe, ata duhet ta paraqesin këtë në Kongres, kështu që ne kemi mundësi, nëse ne dëshirojmë, që shpejt t’i ri-zbatojmë sanksionet”, tha Bob Corker.

Propozimi aktual, që tash shkon në përbërjen e plotë të Senatit, për votim dhe debat, e përcakton një periudhë 30 ditëshe për rishqyrtim të Kongresit, nëse Obama e dërgon tekstin e plotë të marrëveshjes finale për programin bërthamor iranian, deri më 9 qershor.

Në një lëshim ndaj Shtëpisë së Bardhë, kjo periudhë ishte zvogëluar prej 60 ditësh, sa ishte propozuar fillimisht.

Në një koncesion tjetër, legjislacioni i rishqyrtuar e bënë më pak të mundshme që sanksionet do të imponoheshin kundër Iranit lidhur me akuzat për terrorizëm.

Sipas legjislacionit të rishqyrtuar, administrata Obama duhet t’i dërgojë Kongresit raporte periodike për aktivitetet e Iranit lidhur me raketat balistike dhe terrorizmin, por këto raporte nuk do të shkaktojnë ndonjë rund tjetër të sanksioneve.

Gjatë periudhës së rishqyrtimit, Obama do të ketë të drejtë t’i tërheqë sanksionet kundër Iranit, nëpërmjet aksionit presidencial, por do të bllokohet nga lehtësimi i sanksioneve që janë imponuar nga Kongresi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG