Ndërlidhjet

Nuk ka ulje të çmimit të energjisë elektrike


Protestë kundër çmimeve të energjisë elektrike, foto nga arkivi
Protestë kundër çmimeve të energjisë elektrike, foto nga arkivi

Tarifat e energjisë elektrike në Kosovë nuk do të ndryshojnë deri në prill të vitit 2016. Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, tregon qartë se përgjatë kësaj periudhe kohore nuk do të ketë as shtrenjtim dhe as ulje të çmimit.

Adelina Murtezaj - Bajrami, zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, që ky vendim i marrë në prill të këtij viti ka përcaktuar të hyrat e lejuara maksimale për ndërmarrjet e energjisë.

“Bordi në fillim të prillit ka marrë vendim lidhje më shqyrtimin tariforë dhe është një shqyrtim i rregullt që ndodh çdo vit. Bordi ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike për vitin rregullativ 2015 të mos ndryshojnë apo të mbesin të njëjta më ato të vitit të kaluar”, tha Murtezaj - Bajrami.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kishte nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind.

Një vendim të ngjashëm ky institucion e kishte marrë edhe në muajin qershor 2014, ku kishte aprovuar vendime për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Para marrjes së këtyre vendimeve tarifa mesatare e energjisë elektrike në Kosovë ka qenë 5.80 euro për kilovat.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka ngritur shqetësime të mëdha tek qytetarët, shoqëria civile dhe së fundi edhe nga partitë opozitare të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Partitë opozitare kishin kritikuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike se nuk po i përfillë kërkesat e qytetarëve për uljen e çmimit të rrymës, ngase siç kanë theksuar ata, dikujt në Kosovë po i konvenon importimi i rrymës.

Lidhur më këtë, Adelina Murtezaj - Bajrami zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike, ka theksuar se "bordi i rregullatorit për energji vendimet e tyre i bazon në analiza dhe në përllogaritje të çështjeve teknike dhe nuk ndikohet nga politika apo presionet që mund të bëhen në aspektin e energjisë elektrike".

Kundërshtimi i çmimit të lartë i rrymës po ashtu është një prej kërkesave që opozita ka futur në kuadër të çështjeve për të cilat do të protestojë më 18 prill në Prishtinë.

Sidoqoftë, ekspertët e energjisë thonë se në Kosovë është krijuar një situatë e ndërlikuar në aspektin energjetik, dhe se gjërat sipas tyre, po bien ndesh njëra me tjetrën.

Ish ministri i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku, thekson se për zgjidhjen e këtyre problemeve duhet të reagojë Qeveria.

“Këtu, një rol të veçantë duhet ta ketë qeveria. Për kategoritë sociale, për kategoritë që e kanë gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale duhet t’i mbështesë me lloje të tarifave mbi të cilën ata mund të furnizohen dhe mund të kenë energji elektrike”, shton Çeku.

Problemi i energjisë elektrike dhe uljen e tarifave të energjisë në Kosovë, sipas Çekut mund të zgjidhet më ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

“Unë e shoh një rrugëdalje, Kosova sa më shpejt duhet të ndërtojë kapacitetet e veta energjetike, të kemi konkurrencë në prodhimin e energjisë elektrike,mos të kemi monopol energjetik dhe kështu që mund të vijmë deri te tarifat më të lira të energjisë elektrike”, thekson ai.

Ndryshe, sektori i energjisë në Kosovë gjendet në situatë jo të mirë. Kosova përgjatë viteve është ballafaquar edhe me pasiguri në furnizim me energji energjike.

XS
SM
MD
LG