Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, familjarët kanë nënshkruar dokumentacionin për pranimin e mbetjeve mortore të 21 personave të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Që të gjithë thuhet se janë nga komuna e Drenasit.
Prenk Gjetaj drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se dorëzimi i mbetjeve mortore do të bëhet nesër kur edhe pritet të bëhet rivarrimi i tyre.
“Mbetjet mortore sot qëndrojnë në morgun e Prishtinës kurse rivarrimi për 20 prej tyre bëhet nesër në fshatin Çikatovë dhe një në Gllanasellë në komunën e Drenasit.” tha Gjetaj