Ndërlidhjet

Putin: Sanksionet synojnë frenimin e Rusisë

  • RFE /RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se sanksionet e Perëndimit kanë për qëllim të frenojnë Rusinë. Sipas tij, roli i Moskës në konfliktin në Ukrainë është vetëm pretekst për masat ndëshkuese, të ndërmarra nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.

Në sesionin vjetor pyetje-përgjigje, të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, Putin ka thënë se Rusia përballet me sfida nga jashtë, porse mund të prapësojë çdo kërcënim nëse ruan stabilitetin e brendshëm politik.

Putin ka thënë se qëllimi i sanksioneve është “kontrolli i Rusisë” dhe ka pranuar se ato nuk do të hiqen së shpejti.

“Nuk mund të presim që sanksionet të hiqen tani, sepse ato janë çështje thjeshtë politike ose qëllime strategjike për të frenuar zhvillimin e Rusisë”, ka thënë Putin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se sanksionet kanë për qëllim të ndryshojnë sjelljen e Rusisë, e cila, sipas tyre dhe Kievit, ka aneksuar ilegalisht Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe ka dërguar trupa dhe armë në lindje të Ukrainës, për të mbështetur separatistët që luftojnë forcat qeveritare.

Putin ka thënë se Rusia është duke respektuar kushtet e marrëveshjes për armëpushim, të arritur në Minsk në muajin shkurt, dhe se sanksionet nuk kanë të bëjnë asgjë me situatën në Ukrainë.

Putin, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se 15 vjet, qoftë si president, qoftë si kryeministër, ka thënë se Rusia mund të kapërcejë çdo sfidë nëse është e bashkuar.

“Nëse ne ruajmë një situatë të qëndrueshme në politikat e brendshme, ruajmë konsolidimin aktual të shoqërisë, ne nuk duhet të trembemi nga asnjë kërcënim”, ka thënë ai.

Putin po ashtu ka thënë se sanksionet perëndimore janë duke u “kontribuar” sfidave ekonomike me të cilat përballet Rusia, por ka shtuar se vendi duhet t’i përdorë ato si bazë për të arritur “kufij të rinj” në zhvillimin ekonomik.

“Jemi përballur me kufizime të jashtme që kanë ndikim në normat tona të rritjes dhe në zhvillimin tonë, por, në përgjithësi, mund të shohim se rubla ka fituar forcë dhe tregjet e kapitalit janë në rritje. Kemi arritur të parandalojmë spiralen e inflacionit”, ka thënë Putin.

Banka Botërore ka parashikuar më 1 prill se bruto prodhimi i brendshëm i Rusisë mund të bie për 3.8 për qind gjatë vitit 2015 dhe 0.3 për qind më 2016, për shkak të efekteve të sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës.

Por, Putin, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë për të kandiduar për mandatin e katërt si president më 2018, ka thënë se ekonomia e Rusisë mund t’i kthehet rritjes në më pak se dy vjet.

Sesioni pyetje-përgjigje është një ngjarje vjetore që Putin e shfrytëzon për të forcuar imazhin e tij, për të siguruar rusët për gjendjen e ekonomisë dhe për të dërguar sinjale për politikën e jashtme.

Putin ka sulmuar shpesh Uashingtonin dhe Perëndimin në ngjarje të tilla televizive, duke portretizuar veten si lider i vendosur i një vendi të fuqishëm, i cili mbron popullin e tij dhe inetersat e tij përballë agresionit të jashtëm.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG