Ndërlidhjet

Greva e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), dhe ato që janë mbajtur më herët, ndikon negativisht në procesin mësimor dhe edukativ të nxënësve, thonë ekspertë për çështje të arsimit dhe udhëheqës të Këshillit të Prindërve të Kosovës.

SBASHK-u ka paralajmëruar një grevë me afat të pa caktuar për ditën e hënë. Gjatë kësaj greve, thuhet se nuk do mbahet fare mësim, kurse orët e humbura nuk do të zëvendësohen.

Por, ekspertë të arsimit shprehin shqetësimin se greva që do të realizohet në fund të vitit, sidomos për semimaturantët dhe maturantët, ndërprerja e mësimit do të ketë pasoja të shumëfishta.

Sipas udhëzimit administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2014/2015, mbarimi i vitit mësimor për klasën e 12-të është data 8 maj, kurse klasat e 9-10 dhe 11-ta, mësimin e përfundojnë më 2 qershor.

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vendimin e SBASHK-ut e quan të papërgjegjshëm pasi dëmton interesat e të gjithë nxënësve, e që do të ndikojë edhe në cilësinë e arsimit.

Ai madje kërkesat e SBASHK-ut, i konsideron të ekzagjeruara, pasi sipas tij, pagat e mësimdhënësve nuk janë shumë të ulëta krahasuar më punën dhe orarin që kanë.

“Mendoj se SBASHK-u për interesa partikulare dhe në dëm të interesit nacional, po bëjnë një krim. Unë nuk mund ta quaj ndryshe, sepse më këtë do të dëmtohet jo vetëm cilësia e këtij viti mësimor, por pasojat e tij do të jenë të shumëfishta dhe në shumë fusha. Ndoshta kam të drejtë të ftoj SBASHK-un që mos të shkojë me vendime të tilla radikale, sepse ka forma dhe metoda të tjera të presionit”, tha Hyseni .

Edhe Kryetari i Këshillit të Prindërve të Republikës se Kosovës, Bajram Beqiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kanë kërkuar nga SBASHK-u që të përdorë metoda tjera sindikale për realizimin e kërkesave të tyre e kurrsesi mos të ndërpritet procesi mësimor.

“Para një jave, ne kemi pasur pushimin pranveror, në të cilin SBASHK-u dhe Ministria e Arsimit është dashur të ulen bashkërisht dhe të shfrytëzojnë kohën në të cilën nxënësit nuk kanë qenë në mësim dhe të arrihet ndonjë marrëveshje dhe kurrsesi mos të vijë deri tek ndërprerja e mësimit. Çdo ndërprerje e mësimit është dëm për vet nxënësit dhe për procesin edukativo-mësimor në Kosovë”, ka thënë Beqiri.

Por, nënkryetari i SBASHK-ut, Rexhep Sadiku, thotë se pikërisht pasojat që bartin nxënësit nga ndërprerja e mësimit, kanë detyruar SBASHK-un që grevat e organizuara në muajin janar të mos zgjasin shumë.

Ai madje thotë se “fajtor” për ndërprerjen e mësimit është Ministria e Arsimit, pasi nuk ka përmbushur kërkesat e mësimdhënësve të Kosovës.

"Pikërisht se kemi menduar për pasojat, grevat e mëhershme kanë qenë shumë të shkurtëra, grevat janë mbajtë një orë, dy orë dhe një ditë. Të gjitha këto kanë qenë në funksion të dhënies kohë dhe hapësirë organeve legjitimeve, qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit".

"Por, megjithatë ata nuk kanë reflektuar dhe fitohet përshtypja se pikërisht organet që janë kompetente për funksionimin dhe normalizimin e shkollave tona, ato janë të interesuara që mos të mbahet mësimi”, ka thënë Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Por, Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit në Qeverinë e Kosovës, thotë se grevat e dëmtojnë procesin mësimor dhe për këtë arsye janë duke bërë përpjekje që të gjendet ndonjë zgjidhje eventuale.

"Grevat e dëmtojnë shumë procesin, madje në një masë shumë të madhe. E aq më tepër, tani sapo kanë filluar procesin edukativo- arsimor nga një pushim pranveror", thotë Guri.

Kërkesat e SBASHK-ut kanë të bëjnë me pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive, siç janë: shujta 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0.5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG