Ndërlidhjet

Brian Yee: Autoritetet maqedonase duhet të zgjidhin krizën


Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë një zgjidhje të gatshme për të dalë Maqedonia nga kiza e krijuar politike, zgjidhja është në dorë të udhëheqësve politik të vendit, të cilët duhet të ulen për të biseduar dhe të arrijnë marrëveshje për tejkalim të krizës, ka theksuar zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës së tij dy ditëshe në Shkup.

“Atë që mund ta bëj faktori ndërkombëtar, është të ndihmojë në komunikimin mes partive politike në vend, të ofrojë këshilla teknike, t'i informojë autoritetet e vendit për atë çka është në përputhje me standardet evropiane. Roli ynë është t`i inkurajojmë autoritet e vendit që të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar", është shprehur Yee.

I pyetur se a paraqet vizita e tij në Shkup kyçje të drejtpërdrejtë të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në vend, diplomati amerikan tha se politika e SHBA-së nuk ka ndryshuar kundejtë Maqedonisë, "administrata amerikane vazhdon të bashkëpunojë me Qeverinë, politikanët e vendit si dhe sektorin civil, që vendi të shënojë përparim drejtë strukturave euroatlantike".

Ndryshe, pas takimit me kryeminsitrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, zoti Yee ka porositur se duhet të adresohen të gjitha pretendimet rreth korrupsionit, shpërdorimeve zgjedhore, ndikimit të qeverisë ndaj mediave, gjyqësorit si dhe shpërdorimeve të tjera të pushtetit.

“Ne shikojmë që në këtë krizë ka proces juridik që kërkon adresimin e përgjegjësisë për përgjimet apo publikimin e incizimeve, ky është një aspekt i rëndësishëm natyrisht që e respektojmë, por gjithashtu ka çështje të ngritura për mundësitë e keqpërdorimeve të pushtetit, kjo duhet të adresohet gjithashtu. Këto çështje kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi".

Ndërkohë, pas takimit me liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, ai është shprehur se, për një vend demokratik me rëndësi të veçantë është të marrë pjesë në punën e Parlamentit.

Ndryshe, vizita dy ditëshe e zotit Yee në Shkup, me ç`rast ka realizuar një varg takimesh me udhëheqësit politik në vend, përfaqësuesit e sektorit civil, Avokatin e popullit dhe përfaqësuesit e Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve, konsiderohet si angazhim i madh dhe serioz i SHBA-së për kapërcimin e ngërçit politik në vend.

Ish diplomati Denko Malevski, konsideron se porosia e përfaqësuesit të SHBA-së për marrjen e përgjegjësisë nga ana e pushtetit, si dhe trajtimin e përmbajtjes së bisedave të publikuara nga opozita maqedonase me pretendimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë, duhet të bartin përgjegjësi për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.

XS
SM
MD
LG