Ndërlidhjet

Maqedoni: Shteti diskriminon kompanitë private


Shkup..
Shkup..

Borxhet e kompanive për mos shlyrjen e detyrimeve ndaj shtetit sillen në rreth 200 milion euro, por qasja e Qeverisë së Maqedonisë ndaj tyre, vlerësohet si diskriminuese kur është janë në pyetje masat që ndërrmen për shkeljet ligjore.

“Kur janë në pyetje kompanitë shtetërore, shteti hesht apo nuk zbaton ligjin, por kjo nuk vlen edhe në rastin e ndërmarrjeve private“, vlerësojnë afaristët dhe njohësit e çështjeve ekonomike.

Ata thonë se presionet e qeverisë janë të mëdha që përfundojnë me gjoba që rrezikojnë edhe veprimtarinë e tyre, ndërkohë që vetëm tri ndërrmarrje shtetërore kanë një borxh prej 12.7 milion euro, por kjo nuk paraqet asnjë problem për të ndërmarr masa.

“Shteti vazhdon me presione, gjoba dhe kontrolle ndaj subjekteve tjera në Maqedoni, që ti rris të ardhurat buxhetore. Qasja është selektive, kur janë në pyetje kompanitë private dënimet nuk mungojnë, por kjo nuk vlen edhe në rastin kur kompanitë janë me kapital shtetëror".

"Këtu duhet përmendur tri ndërmarrjet shtetetore, Televizionin publik, Pyjet e Maqedonisë dhe ndërmarrjen e rrugëve, të cilat kanë një borxh prej 12.7 milion euro, dhe në këtë rast shteti hesht, apo lejon veprimtarinë e tyre sikur të mos ketë asnjë shkelje ligjore“, thotë ekonomisti Sllobodan Najdovski.

Nga ana tjetër, Sonja Stojadinoviq, profesore në Universitetin e Shkupit, thotë se problemi nuk qëndron vetëm në menaxhimin e keq me ndërmarrjet, por edhe në punësimet partiake, që në mënyrë plotësuese rëndojnë buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht krijojnë borxhe të larta.

“Ndërmarrjet e tilla përdoren edhe për qëllime partiake, për mbulimin e borxhit të tyre, për interesa politike. Ato thjesht keqpërdoren për punësime partiake. Ne jemi dëshmitar edhe të nënçmimit të madh që u bë me punësimet përmes lotarisë në 'Pyjet e Maqedonisë'“.

"Është vështirë që gjendet zgjidhje për gjendjen aktuale kur jetoni në një shteti ku askush nuk bartë përgjegjësi morale, politike e kështu me radhë, pasi ata janë pjesë e garniturës politike që në mënyrë automatike janë të mbrojtur nga shteti“, thotë Stojadinoviq.

Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se borxhet e kompanive private janë pasojë, jo vetëm e mospagesës së tatimit të vlerës së shtuar, por edhe e bashkëpunimit të tyre në forma të ndryshme me shtetin.

Ai thotë se ndëmarrjet duhet të kërkojnë alternativa tjera të bashkëpunimit, para se gjithash me tregjet e jashtme.

“Kompanitë duke dashur të fokusohen në tregjet lokale, apo duke e pasur tregun e qeverisë, apo të mirave publike të qeverisë, po e humbin mundësinë e garimit në tregjet rajonale duke e ulur kështu pozicionin e saj konkurrues kundrejt kompanive tjera".

"Konsideroj se efeki i të ardhurave të shpejta dhe afatshkurtra e bën që të humbin vizionin dhe konceptin e tyre afatgjatë. Vlerësoj se është një humbje e madhe për kompaitë nëse neglizhojnë në tregjet alternative. Këtu duhet të jetë përqëndrimi i tyre dhe jo në fitimi afatshkurtët nga tenderët apo ofertat publike që bëhen nga qeveria“, thotë Ademi.

Në listën e borxhlinjëve që këtyre ditëve e publikoi Drejtoria e të Ardhurave Publike, janë rreth 2600 persona fizik që kanë një borxh prej 180 milion euro dhe më shumë se 3500 ndërmarrje të ndryshme me një borxh prej rreth 200 milion euro. Borxhi kryesisht ka të bëj me mospagesën e tatimit të vlerës së shtuar dhe detyrimeve tjera ligjore.

XS
SM
MD
LG