Ndërlidhjet

Protestuesit "kundër kapjes së shtetit"


Protesta e opozitës "kundër kapjes së shtetit"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:46 0:00

Protesta e opozitës "kundër kapjes së shtetit"

Mijëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në Prishtinë, me moton “kundër kapjes së shtetit”, protestë kjo e cila u organizua nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Marshi i protestuesve ka nisur nga sheshi Zahir Pajaziti dhe ka vazhduar para Gjykatës Kushtetuese, ku në mënyrë simbolike është hedhur ngjyrë e zezë në objektin e kësaj gjykate.

Më pas, protesta është zhvilluar para Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS), ku në mënyrë simbolike është thyer një orëmatës i energjisë elektrike.

Protesta ka vazhduar edhe para Radio Televizionit të Kosovës dhe para objektit të Qeverisë së Kosovës në sheshin “Skënderbeu”.

Ndryshe, protesta e së shtunës është zhvilluar me kërkesat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, kundër kontrollit shtetëror mbi transmetuesin publik-Radio Televizionin e Kosovës, kundër uzurpimit të sistemit gjyqësor dhe kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë protestës është kërkuar: shfuqizimi i vendimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, si dhe shkarkimi i menaxhmentit të RTK-së

Organizatorët e protestës i kanë dhënë afat prej dy javësh institucioneve të vendit për t’i plotësuar kërkesat e protestuesve.

Pas parakalimit protestues, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, u është drejtuar protestuesve të mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se organizimi i protestës është mënyra më e mirë për të ndalur udhëheqjen e keqe e shtetit.

“Protestat e janarit e sollën suksesin. Që nga ato protesta, ministri i Listës serbe, i cili me gjuhën e vet e shpërfaqi fashizmin e tij politik karshi shqiptarëve, u shkarkuar dhe nuk është më ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës. protestat e prillit, kanë për t’i hequr drejtuesit që po abuzojnë me çmimet e energjisë, që po abuzojnë me televizionin publik dhe që e kanë kapur gjyqësinë dhe e kanë kapur shtetin”, theksoi Ymeri.

Fatmir Limaj, lider i Nismës, duke iu drejtuar protestuesve , ka theksuar se në protestë janë bashkuar të gjitha ato shtresa të qytetarëve, interesat e të cilave, sipas tij, janë shkelur nga pushtetarët.

“Prandaj, sot jemi bashkuar të gjithë, punëtorët e pambrojtur, bujqit e anashkaluar, të rinjtë e zhgënjyer, pensionistët e harruar, intelektualët, dinjiteti i të cilëve po nëpërkëmbet dhe po u zënë vendet e tyre. Kemi bashkuar zërin e organizuar, për t’i thënë stop kësaj keq qeverisje dhe për t’i thënë stop kapjes së shtetit”, tha Limaj.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se protesta e së shtunës ka për qëllim “t’i thuhet jo kapjes së institucioneve nga partitë e koalicionit qeverisës, në emër të votave”.

“Ne kemi ardhur këtu që ta ballafaqojmë qeverinë, pushtetin, me të gjitha këto kërkesa që janë të drejta, që janë legjitime, e të cilat do t’i përfaqësojmë në vazhdimësi. Ne u japim afat kohor, dy javë, institucioneve të vendit që të reflektojnë ndaj këtyre kërkesave. Pra, protesta sot, e ka sjellë një porosi për pushtetarët: ndryshoni, ndaluni, reflektoni lidhur me kërkesat. Ndryshe, do të ballafaqohemi në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, protesta e së shtunës, e organizuar nga partitë opozitare, ka kaluar pa incidente. Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për medie.

Policia njofton se “protesta ka përfunduar rreth orës 16:20 min, pa ndonjë incident i cili ndërlidhet me protestën” dhe gjithashtu ka falënderuar qytetarët “për sjellje të mire dhe kalimit të protestës pa incidente”.

Gjithashtu, përmes një komunikate për media, Qeveria e Kosovës ka theksuar se “duke shprehur respektin për të drejtën e protestës, si mjet demokratik të shprehjes së shqetësimeve qytetare, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson kulturën e demonstruar sot nga protestuesit në Prishtinë”.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës vlerëson, po ashtu, “organet e rendit për përkushtimin e tyre për të siguruar kushte normale për protestuesit dhe për të siguruar objektet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”.

XS
SM
MD
LG