Ndërlidhjet

Irak: Forcat qeveritare e morën kontrollin ndaj një rafinerie


Forcat e qeverisë së Irakut duke ndërmarrë sulme me raketa kundër caqeve të IS-it afër rafinerisë në Baixhi më 16 prill të këtij viti

Forcat e qeverisë së Irakut duke ndërmarrë sulme me raketa kundër caqeve të IS-it afër rafinerisë në Baixhi më 16 prill të këtij viti

Raportohet se forcat qeveritare të Irakut e kanë rimarrë kontrollin ndaj rafinerisë më të madhe në këtë vend, nga militantët e Shtetit Islamik (IS).

Një zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që kryen sulme ajrore kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, tha se trupat irakiane e kanë rimarrë kontrollin në rafinerinë Baixhi, dje pak para mesditës.

Megjithatë, zyrtarët në provincën Salahudin, ku ndodhet kjo rafineri, thanë se atje ende ka luftime.

Rafineria në Baixhi ka prodhuar afro 175 mijë fuçi naftë në ditë, para se të okupohej nga militantët e Shtetit Islamik, në qershor të vitit të kaluar, kur edhe ishte mbyllur.

Në këtë kohë ishte okupuar edhe qyteti Mosul.

Këtë muaj, militantët e Shtetit Islamik, kanë pësuar disfatë madhore kur trupat e Irakut, të mbështetura nga paramilitarët shiitë, i kanë dëbuar militantët nga qyteti Tikrit.

Por, kryengritësit ekstremistë kanë sulmuar rishtas në Baixhi dhe në provincën perëndimore, Anbar.

XS
SM
MD
LG