Ndërlidhjet

Përqindje shqetësuese e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve


Ilustrim

Ilustrim

Mbi 60 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, në Kosovë, kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë psikologjike dhe fizike nga familjarët. Kështu thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara - UNICEF.

Afrim Ibrahimi, zyrtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë një studim bazë për praninë e dhunës në familje.

“Sipas të gjeturave të studimit, dhuna fizike është dalë të jetë lloji më i përhapur. Këtu përfshihet edhe dhuna seksuale. Në këtë studim janë përfshirë tri komuna të Kosovës, ajo e Gjilanit, Dragashit dhe Gjakovës. Hulumtimi është bërë duke përfshirë metoda sasiore dhe cilësore të mbledhjes së të dhënave dhe janë anketuar 3,661 qytetarë”.

Komponentët që ne i implemetojmë pasi të marrim rezultate të implementimit, është komunikimi për zhvillim në funksion të adresimit të normave shoqërore negative që inkurajojnë dhunën në familje në baza gjinore. Si pjesë e kësaj, ne jemi duke punuar me mekanizmat koordinues me komuna dhe me shoqëri civile, që më pastaj këto kapacitete t’i reflektojnë te grupet rinore në funksion të parandalimit të dhunës në përgjithësi”, bën të ditur Ibrahimi.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF), ka bërë të ditur se raporti i publikuar nga UNICEF-i, për dhunën ndaj fëmijëve, është shqetësues.

“Raporti i publikuar nga UNICEF-i është shqetësues dhe tregon një nivel të lartë të dhunës ndaj fëmijëve. Faktorët e rrezikut mund të jenë të ndryshëm, si faktorë individualë, familjarë,shkollor dhe komunitar. Të gjithë këta janë faktorë rreziku që ndikojnë në dhunën ndaj fëmijëve”.

“Gjithashtu, edhe niveli i ulët i qytetarëve apo prindërve në këtë rast, që fëmija konsiderohet si pronë e prindërve, pastaj modelet e disiplinimit,shumë shpesh orientohen nga dhuna fizike dhe emocionale, e që mendojnë se është (model) i mirë dhe pozitiv. Ata mendojnë se ashtu do ta edukojnë fëmijën e tyre, derisa dhuna përfundimisht është mjet i gabuar”, shprehet Kelmendi.

Për çështjen e dhunës ndaj fëmijëve flasin edhe psikologët, të cilët shpjegojnë për Radion Evropa e Lirë pasojat negative që mund t’i kenë fëmijët që përjetojnë dhunë fizike apo psikologjike.

Linda Gusia, psikologe, rekomandon prindërit të kenë durim më shumë me fëmijët e tyre, derisa shton se dhuna që ushtrohet ndaj fëmijëve sjell dhunë në shoqëri.

“Rrahjet ende shihen si mjet pedagogjik dhe është vështirë dalja nga ai mentalitet. Nuk janë të vetëdijshëm madje as njerëzit në sistemin arsimor, e që do të duhej të ishin të vetëdijshëm se sa e dëmshme është dhuna ndaj fëmijëve. Pasojat e dhunës fizike të aplikuara te fëmijët janë të shumëfishta. Fëmijët që përjetojnë dhunë janë më të dhunshëm me fëmijët tjerë. Në Kosovë ka dhunë në shkolla dhe ka shumë dhunë, andaj sipas të gjitha gjasave fëmija që rrahet fizikisht, tregon agresivitet më të lartë”.

“Mendoj se duhet të kemi durim më shumë me fëmijët tanë, në mënyrë që mos ta përdorim dhunën si mjet në asnjë mënyrë, pasi që mendoj se jemi si shoqëri e dhunshme, në përgjithësi”, vlerëson Gusia.

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Gjatë vitit 2013, ka filluar të hartohet Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili vazhdon të jetë ende në proces.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG