Institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësi për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin obligimin ndërkombëtar në themelimin e Gjykatës Speciale, ka thënë presidentja e Kosovës në takim me diplomatin amerikan, Stephen Rapp, i ngarkuar për krime lufte.
Lajmi është bërë i ditur sipas një komunikate të zyrës së presidentes Atifete Jahjaga.
Gjatë takimit që është mbajtur në Prishtinë, Atifete Jahjaga e ka informuar diplomatin amerikan “për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces kredibil dhe të përgjegjshëm për t'u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës”.
Zonja Jahjaga është zotuar se do të vqazhdojë të angazhohet se bashku me institucionet e tjera relevante për të diskutuar implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale.
Në komunikatë është përsëritur deklarata e më parshme se kjo Gjykatë “nuk do merret me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura”.