Ndërlidhjet

Anulohet ftesa për Thaçin në Beograd


Organizata joqeveritare në Serbi, Këshilli Rinor për Arsim, ka tërhequr ftesat për ministrat e Jashtëm të Serbisë, Bosnjës, Kosovës dhe Maqedonisë për një konferencë rajonale, ka njoftuar përmes një mesazhi në Twitter kjo organizatë.

Konferenca “Integrimi i Ballkanit Perëndimor: Së bashku mundemi më mirë” mbahet më 24 prill.

Organizatorët kanë thënë se janë përballur me “kërcënime dhe presione të forta politike”.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar arrestimin e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në rast të vizitës në Beograd.

Kjo, sipas tyre, do të bazohej në vendimin e gjykatës serbe të vitit 1997, e cila kishte dënuar Thaçin me 10 vjet burgim për shkak të “terrorizmit”.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne e kemi gjykimin në fuqi dhe shteti do të sillet në përputhje me ligjin”, ka thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tash e disa javë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së organizatës joqeveritare Këshilli Rinor për Arsim në Serbi, për të marrë pjesë në konferencën “Integrimi Evropian i Ballkanit Perëndimor".

Kjo konferencë mbahet me mbështetje të Ambasadës së Britanisë.

Zëvendësministri Selimi theksoi se lidhur me shkuarjen e Thaçit në Beograd, pala e Kosovës e ka njoftuar Beogradin, e më pas përmes zyrtarëve ndërlidhës edhe e ka bërë kërkesën.

Zëvendësministri i Jashtëm Selimi ka theksuar se është për keqardhje që zyrtarët serbë ende thirren në vendimet e marra në kohën e diktaturës së errët të viteve 90-ta, të Slobodan Milosheviqit, për të bërë politikë tash në vitin 2015-të. Megjithatë, sipas tij, kjo paraqet një moment të ri.

“Është një moment i ri dhe me siguri që politika kosovare, diplomacia e jonë, por edhe Brukseli dhe qarqet tjera ndërkombëtare, do të shohin me kujdes se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, sepse normalizimi (i marrëdhënieve) pa shkëmbime dhe pa vizita është vështirë të bëhet. Kështu që, sido që të jetë, kjo thirrje për këtë vizitë në Beograd, shpalosi shumë gjëra dhe në bazë të këtyre gjërave do t’i bëjmë hapat e ardhshëm”.

Ndryshe, në faqet e internetit të disa lëvizjeve ekstreme serbe, shumë shpesh janë paraqitur listat e organizatave joqeveritare, duke i cilësuar si të tilla që “punojnë kundër interesit të Serbisë” dhe se bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

Kësaj radhe, cak i këtyre faqeve të internetit është Këshilli Rinor për Arsim në Serbi. Në to, janë paraqitur fotografitë dhe biografitë e liderëve të kësaj organizatës joqeveritare, e cila ka ftuar Thaçin në konferencën në Beograd.

Gjithashtu, ato kanë kërkuar që të ndalohet puna e kësaj organizate.

Kjo ka shqetësuar njohësit e zhvillimeve në Serbi.

Ivana Stelja, koordinatore e programit kundër diskriminimit “Praxis”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është mjaft shqetësuese kjo situatë, e cila po përsëritet.

“Është e domosdoshme që të bëhet fushatë për shumë gjëra. Para së gjithash, të kërkohet mbrojtje nga shteti, sepse kjo është ajo që shpeshherë mungon dhe dekurajon aktivitetet tjera të mëtutjeshme dhe të gjithë ata që janë të rrezikuar që të mbrojnë të drejtat e tyre”, tha Stelja.

Politikologu Jovan Komshiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se kërcënimet e nacionalistëve janë të rrezikshme edhe për atmosferën që e krijojnë në shoqëri.

“Ekziston kufiri në këtë liri të fjalës. Në qoftë se sulmohet e drejta për jetë dhe për pasuri, atëherë shteti ligjor duhet të tërheq vërejtjen, e sidomos ai që ka pushtetin më të madh në shoqëri, e ai është pushteti publik”, tha Komshiq.

Ai ka shtuar se vizita eventuale e Thaçit në Beograd, kurdo që ndodhë, mund të jetë mjaft domethënëse për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por, sipas tij, për të ndodhë një gjë e tillë, duhet të jenë të përfshira edhe autoritetet e Beogradit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG