Ndërlidhjet

Bindja ideologjike si motiv për rekrutim nga Shteti Islamik


Çfarë është Shteti Islamik?

Shteti Islamik (IS) është një grup radikal islamik që ka pushtuar pjesë të mëdha të territoreve në lindje të Sirisë dhe në veri e perëndim të Irakut.

Taktikat e tyre brutale - përfshirë vrasjet masive dhe rrëmbimet e pjesëtarëve të pakicave fetare dhe etnike, si dhe ekzekutimet me heqje koke të ushtarëve dhe gazetarëve - kanë nxitur shqetësim nëpër botë, dhe kanë detyruar intervenimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me aleatë të tjerë.

Grupi për qëllim ka krijimin e një "kalifati", shtet të udhëhequr nga një lider politik dhe fetar, sipas ligjeve të Islamit, Sheriatit.

Edhe pse për momentin është i limituar në Irak dhe Siri, IS-i ka premtuar që do t'i "thyej kufijtë" e Jordanisë dhe Libanit, dhe do të "lirojë Palestinën"

Ky grup ekstremist tërheq mbështetës nga e gjithë bota dhe kërkon që të gjithë të betohen për besnikëri ndaj liderit të tij - Ibrahim Awad Ibrahim Ali al-Badri al-Samarrai, më mirë i njohur si Abu Bakr al-Baghdadi.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile kanë deklaruar së fundmi se mbi 200 shqiptarë nga Kosova u janë bashkuar grupeve të njohura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri dhe Irak.

Njohësit e fesë islame në Prishtinë, nuk e përjashtojnë mundësinë që të rinjtë nga Kosova ta kenë bërë një gjë të këtillë, në këmbim të kompensimeve financiare, ndonëse pohojnë se ato nuk janë primare.

Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, konsideron se shkaqet të cilat kanë shtyrë një numër të qytetarëve që të marrin pjesë në radhët e Shtetit Islamik [IS], duket se janë të ndryshme.

Por, një nga kryesoret, sipas tij, mund të jetë mungesa e informimit të drejtë, ose keqinformimi i tyre për atë se çfarë realisht po ndodhë atje.

Hamiti thekson se personat të cilët kanë marrë atë rrugë, nuk kanë qenë në gjendje që të bëjnë dallimin mes qëllimeve, motiveve, interesave globale gjeopolitike dhe gjeostrategjike, të cilat ndërlidhen me atë pjesë të asaj bote dhe vetë fesë si fe, të mbështetur mbi parimet e saj reale dhe të shëndosha.

“Nuk mund të përjashtohet as joshja me para për dikë që të marrë pjesë në luftëra të tilla, mirëpo bindja ideologjike dhe indoktrinimi sistematik, permanent, intensiv dhe i verbër, zakonisht janë shtytje të forta për të bindur dikë që të marrë pjesë në konflikte fetare”.

“Edhe pse joshja për përfitime të shpejta është formë e dëshmuar për rritjen dhe zgjerimin e rrjeteve si dhe të rekrutimit të anëtarësisë me njerëz të pa-perspektivë”, tha Hamiti për Radion Evropa e Lirë.

Hamiti thotë po ashtu se indoktrinimi ideologjik, i shtrembër dhe i gabuar, i çfarëdo bindjeje shpirtërore qoftë, është rreziku i parë për vetë individin, pastaj për familjen, rrethin dhe shoqërinë e gjerë.

“Propaganda e shpërndarë në mjetet elektronike, nga një rrjet i thirrësve të ndryshëm profesional, të lidhur ideologjikisht kundër demokracisë globale, me qëllim të ruajtjes së privilegjeve të tyre nga sistemet e kaluara dështuese, ka bërë që shumë të rinj, dëgjues dhe përcjellës të tyre, të biejnë në grackën e emocioneve dhe të binden se gjoja atje është duke u zhvilluar një luftë fetare e shenjtë mes myslimanëve të vërtetë dhe jo myslimanëve, si dhe sekteve myslimane të devijuara”, tha Hamiti për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se në Siri dhe Irak, shihet qartë se është duke u zhvilluar një luftë e përgjakshme sektare dhe politike për pushtet dhe jo për shtet.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, tha për Radion Evropa e Lirë, se influenca e disa personave të caktuar ka bërë që disa të rinj të marrin vendim dhe të nisen drejt Sirisë.

Rexhepi thotë se lufta në Siri e Irak, nuk ka të bëjë me një luftë të shenjtë e të rënit "shehid" [dëshmor].

“Edhe mund të ketë pagesë. Sa është ajo pagesë nuk e di, askush nuk shkon për 10 apo 20 euro. Por, kjo është sigurisht një shumë e cila të lë përshtypje të mirë, prandaj edhe kanë mundur ta marrin atë. Por, sado që të ketë qenë ajo shumë, nuk shitet shpirti, nuk shitet trupi yt për para. Gjithmonë ka pasur mercenarë, ju e dini dhe çdo luftë ka pasur mercenarë”, tha Rexhepi.

Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës, konsideron se shkuarja e të rinjve nga Kosova në vatra lufte është një shqetësim për gjithë vendin.

Por, ai konsideron se në krahasim më një vit më parë interesimi për të shkuar në ato vatra lufte ka rënë.

“[Interesimi] nuk është i përmasave si ka qenë atëherë. Them se interesimi është më i vogël. Përndryshe kjo çështje është shqetësuese, sepse edhe një person i vetë po të shkojë, ne nuk kemi njerëz tepër dhe ne nuk kemi rini të tepërt”, tha Rexhepi.

Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë në një raport që është publikuar javën e kaluar lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Profesor i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti konsideron se “ngritja e vetëdijes kolektive që njerëzit të dallojë se çfarë është në interes nacional kombëtar, fetar dhe shtetëror, është obligim i të gjithëve”.

Ai madje thotë se duhen trajnime të herëpashershme me përfaqësues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të komunitetit fetar, me qëllim të vetëdijesimit dhe informimit të drejtë të masës, për rreziqet dhe pasojat e pjesëmarrjes eventuale të qytetarëve të Kosovës në Lindjen e Mesme.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, tashmë kanë konfirmuar se po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj 135 personave.

Më 12 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin që sanksionon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

XS
SM
MD
LG