Ndërlidhjet

SHBA rrit praninë në ujërat e Jemenit

  • RFE /RL

Luftanije amerikane - foto ilustruese

Luftanije amerikane - foto ilustruese

Marina e Shteteve të Bashkuara ka dërguar dy luftanije drejt Jemenit. Aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt dhe anija me raketa USS Normandy kanë kaluar ngushticën e Hormuzit, duke iu bashkuar shtatë luftanijeve të tjera amerikane në zonë.

“Qëllimi është të sigurojmë se kemi forca të mjaftueshme në zonë, për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi”, ka thënë zëdhënësi i Flotës së Pestë amerikane, komandanti Kevin Stephens, duke shtuar se kontrabanda me armë është shqetësim.

Ky veprim pason raportet se Irani ka dërguar shtatë deri në nëntë anije në zonë, disa prej të cilave me armë për rebelët Huthi në Jemen, të cilët luftojnë forcat pro-qeveritare.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, ka thënë se zyrtarët amerikanë “janë duke vështruar nga afër aktivitetet detare në rajon”, por ai ka mohuar raportet se luftanijet e SHBA-së kanë për qëllim që të pengojnë dërgesat e armëve iraniane.

“USS Theodore Roosevelt do të kryejë operacione të sigurisë detare. Nuk do të pengojë anijet iraniane”, ka thënë Warren.

Megjithatë, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka pranuar shqetësimet për dërgesat e armëve nga Irani në Jemen.

“Kemi parë dëshmi se iranianët janë duke furnizuar me armë dhe me forma të tjera të mbështetjes rebelët Huthi në Jemen. Ky lloj i mbështetjes vetëm se do t’i kontribuojë rritjes së dhunës në këtë vend, i cili tashmë është rrënuar nga dhuna e madhe”, ka thënë Earnest.

Rebelët shiitë Huthi kontrollojnë territore të mëdha të Jemenit prejse kanë marrë nën kontroll edhe kryeqytetin Sana, në shtator të vitit të kaluar.

Arabia Saudite dhe një koalicion i aleatëve të saj arabë janë duke kryer sulme ajrore në Jemen, në përpjekje për të ndaluar avancimin e rebelëve Huthi.

Në një artikull të botuar më 20 prill në gazetën New York Times, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka bërë thirrje për dialog rajonal dhe ka thënë se “Jemeni do të ishte vend i mirë për të nisur”.

Ai po ashtu ka thënë se Irani ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm, ndihma humanitare dhe dialog që çon në formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Duke reaguar ndaj deklaratave të Zarifit, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se Uashingtoni mund të bisedojë me Iranin për nxitjen e stabilitetit rajonal.

Megjithatë, ajo ka theksuar se ka dallim midis të biseduarit me Iranin dhe të punuarit me të.

“E kemi thënë gjithmonë se nuk do të koordinohemi apo punojmë me iranianët. Ka dallim midis të biseduarit dhe punuarit”, ka thënë Harf.

Konfliktet e vazhdueshme në Jemen, Libi, Irak dhe Siri kanë qenë në mesin e temave kryesore që kanë diskutuar të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe lideri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed. Dy zyrtarët nuk kanë bërë komente publike pas drekës së tyre të punës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG