Ndërlidhjet

Sulmohet stacioni policor në kufirin Maqedoni - Kosovë


Shtohen forcat e sigurisë në Gushincë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:32 0:00

Minstria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, e ka cilësuar si “sulm terrorist”, incidentin për të cilin ka njoftuar se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në pikën vrojtuese kufitare, në fshatin Gushincë të komunës së Likovës.

"Të hënën, rreth orës 2 e 30 minuta pas mesnate, një grup prej 40 personave e ka sulmuar stacionin policor në Gushincë të Likovës. Personat të cilët kanë marrë peng katër policë, që kanë qenë në kujdestari në këtë stacion policor në ndërrimin e natës, kanë qenë rëndë të armatosur, të maskuar me uniformë që kanë mbajtur emblemën e UÇK-së dhe mes veti kanë komunikuar në gjuhën shqipe”, ka njoftuar ndihmës-ministri për marrëdhënie me opinionin, Ivo Kotevski .

“Sipas infomacioneve të para operative me të cilat disponojmë, bëhet fjalë për persona të armatosur nga Kosova, ndërkohë që janë duke u ndërmarrë masa plotësuese për të siguruar dëshmi rreth këtyre informacioneve“, ka theksuar Kotevski.

Sipas tij, personat e armatosur i kanë çarmatosur katër policët dhe i kanë lidhur me lidhëse, ndërsa njëri nga policët, sipas tij, është rrahur nga grupi i armatosur.

“Njëri nga sulmuesit i cili i ka paraprirë grupit të armatosur, u është drejtuar policëve me fjalët: Ne jemi nga UÇK-ja dhe përcillni tek të gjithë se as Nikolla Gruevski e as Ali Ahmeti nuk do të mund të ju shpëtojnë. Ne dëshirojmë të ndërtojmë shtetin tonë dhe nuk duam asnjë marrëveshje të Ohrit, duhet të dini se tani e tutje askush nuk guxon të ngjitet lartë", ka theksuar Kotevski nga dikasteri i policisë.

Ai ka sqaruar se pas kësaj porosie, personat e armatosur pasi i kanë marrë të gjitha armët e policëve me vete, u kanë dhënë atyre 30 minuta kohë të largohen nga pika vrojtuese kufitare e Gushincës.

Kotevski, më pas ka theksuar se dikasteri të cilin e përfaqëson ai, po ndërmerr masa për zbardhjen e gjendjes, ndërsa për shkak të situatës serioze nuk ka dhënë më shumë detaje.

Por, informacionet e Ministisë së Punëve të Brendshme, i ka hedhur poshtë Abedin Zymberi, ish komandat i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga zona e Likovës, ku aktualisht dhe banon.

Zymberi, i cili ka qënë edhe deputet i zgjedhur nga kjo zonë, thotë se bëhet fjalë për skenare të qeverisë, për të shpërqëndruar vëmendjen nga kriza e krijuar politike pas "aferës së përgjimeve".

“Tërë kohën ka lëvizje të përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por persona të armatosur nga Kosova, siç informon ministria, nuk ka pasur dhe as tash nuk ka në këtë rajon. Ky është një incident i inskenuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, për të shpërqëndruar vëmendjen e qytetarëve, por unë besoj se asgjë nuk do të mund ta shpëtojë Gruevskin nga ajo që do t`i ndodhë".

"E theksoj se pas këtij rasti, qëndron vetë Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim për të krijuar një situatë të tensionuar këtu. Njëherit, besoj se popullata e kësaj zone nuk do të bie pre e këtyre incidenteve, sepse ata duan paqe dhe perspektivë”, thekson Abedin Zymberi.

Partia politike shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar duke kërkuar "intensifikimin e bashkëpunimit rajonal me qëllim zvogëlimin e hapësirave për veprim të grupeve" që, sipas kësaj partie, kanë për qëllim pengimin e realizimit te agjendave te integrimit dhe pajtimit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se incidenti i ndodhur në Gushincë është akt që dëmton agjendën e shqiptarëve në Maqedoni në veçanti, dhe atë kombëtare në përgjithësi. BDI-ja fton qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos bien pre e provokimeve të tilla si dhe siguron qytetarët që këto incidente nuk do të na zhvendosin nga agjenda dhe aktivitetet tona të përcaktuara”, theksohet veç tjerash në reagimin me shkrim të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, nënkyetarja e partisë maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate, Frosina Remenski në pofilin e saj në Facebook është shprehur se incidenti është skenar i përgatitur nga ana e qeverisë së Maqedonisë "me qëllim që të shmanget përgjegjësia penale ndaj pushtetarëve, të cilët janë të përfshirë në aferat e ndryshme korruptive".

Remenski shkruan se “skenari i paguar dhe i përgatitur i pushtetit për nxitjen e mostolerancës ndër-etnike dhe shpikja e armiqve dhe sulmeve, janë përgjigjja dhe vendi i kërkimit të përgjegjësisë për gjithçka që ndodh dhe që mund të ndodh në Maqedoni” .

XS
SM
MD
LG