Ndërlidhjet

Çështja e personave të pagjetur, vazhdon të jetë njëra nga plagët me të rënda dhe ende të pashëruara për shoqërinë kosovare. Kështu thanë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, me rastin e fillimit të shënimit të “Javës për Personat e Pagjetur”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një tryezë diskutimi ku është folur për personat të zhdukur nga periudha e vitit 99', ka kritikuar autoritetet serbe në Beograd, që nuk po japin informacione lidhur me fatin e tyre.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, tha se "fshehja e krimeve masive ka qenë një operacion i organizuar nga struktura shtetërore serbe".

Veseli tha se është krejtësisht e qartë që në Serbi ekzistojnë informacione të sakta se çfarë ka ndodhur me viktimat nga Kosova.

“Qeveritë e ndryshme të Serbisë, vazhdimisht kanë vendosur pengesa në procesin e gjetjes dhe identifikimit të të zhdukurve tanë. Mungesa e vullnetit të duhur për të ndihmuar këtë proces, flet qartë se këto qeveri vazhdojnë të mos distancohen nga qëllimi i fshehjes së krimit, për të cilin u zhdukën mijëra qytetarë të Kosovës".

"Me zvarritjet e qëllimshme në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, qeveria serbe synon të arrijë efektin e zbehjes së krimit të dyfishtë që u bë mbi njerëzit tanë”, tha Veseli.

Veseli, pohoi se institucionet e vendit kanë bërë krejt çfarë ka qenë në mundësitë e tyre, për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Punë e konsiderueshme, tha ai, është bërë edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.

“Familjet tona kanë të drejtë të pamohueshme të dinë për fatin e më të dashurve të tyre dhe të kërkojnë t’ju kthehen pjesëtarët e tyre. Kjo nuk është vetëm një e drejtë njerëzore, por edhe kulturore dhe civilizuese”, është shprehur Veseli.

Drejtues të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, kanë deklaruar se në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, si komision, po përballen me një bashkëpunim jo të duhur me institucionet përgjegjëse të Serbisë.

Kurse, kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi, deklaroi se Qeveria e Serbisë çështjen e personave të pagjetur është duke e përdorur edhe për çështje politike.

“Ka dhënë prova shteti serbë se njësoj siç ka bërë me herët me ketë kategori, vazhdon ta luaj lojën për kushtëzime politike. Për fat të keq, mbahet kjo çështje në tavolinë për cenim territoresh, si hap politik që ata konsiderojnë në momente të caktuar ta vendosin në tavolinat e Brukselit. Kjo e lëndon në esencë përcaktimin për një demokraci apo fqinjësi të mirë”, tha Kajtazi.

Bajram Qerkini, drejtues i shoqatës së familjarëve të pagjeturve “Zëri i prindërve”, nga Mitrovica, tha se ekzistojnë shembuj që shpërfaqin neglizhencën e faktorëve ndërkombëtar lidhur me çështjen e të pagjeturve.

“Ambasadat nuk kanë bërë sa duhet tek krerët në Serbi, se ata janë në njohuri 100% se ku i kanë edhe të zhdukurit e tyre, sepse kanë qenë të profilizuar. Ata e dinë edhe ku janë të tanët të gjithë. Ne kemi gjetur edhe dokumente të qarta dhe i kemi dërguar në Beograd se ku mund të jenë të zhdukurit”, është shprehur Qerkini.

Vendimi për shënimin e javës për personat e pagjetur, është marrë në muajin mars gjatë një takimi të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me përfaqësuesit e tetë organizatave që merren me çështjen e të zhdukurve, si dhe me udhëheqësin e Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj.

Më herët, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, në bashkëpunim me asociacionet e familjarëve, kanë vendosur që me datën 27 prill të shënojnë ditën e të pagjeturve.

Familjarët e personave të pagjetur, thonë se asnjëherë nuk do të ndalen deri se të gjendet edhe personi i fundit i pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në nivel të Kosovës, konsiderohet se ende mbesin të pagjetur edhe 1,653 persona.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG