Ndërlidhjet

Pasojat e konfliktit në Jemen


Dhuna në Jemen, qysh në fund të muajit mars, ka lënë 947 persona të vrarë dhe 3,487 të plagosur, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Agjencia për shëndetësi e OKB-së ka thënë se shifrat vijnë nga qendrat shëndetësore në Jemen, porse numrat e vërtetë ka gjasa të jenë më të lartë, pasi shumë njerëz nuk shkojnë në spitale për trajtim.

Në Jemen, forcat pro-qeveritare po luftojnë rebelët shiitë Huthi që kanë marrë kontrollin e shumë territoreve, përfshirë edhe kryeqytetin Sana.

Situata në Jemen kishte dalur nga kontrolli në janar të këtij viti, kur rebelët shiitë thanë se do të shpërndajnë parlamentin dhe njoftuan për një asamble të re të përkohshme dhe formimin e këshillit presidencial pesë-anëtarësh, i cili do të sundojë për deri në dy vjet.

Ky veprim mbushi një vakuum politik i cili kishte ekzistuar që nga dorëheqja e presidentit Hadi, kryeministrit dhe kabinetit të tij, në muajin janar, pasi që rebelët Huthi kishin vendosur presidentin në arrest shtëpiak.

Forcat e sigurisë së Jemenit, janë ndarë në dy pjesë, njëra palë mbështetë presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi dhe pala tjetër rebelët Huthi si dhe paraardhësin e presidentit Hadi, Ali Abdullah Saleh, i cili ka influencë të lartë politike.

Pasi forcat rebele iu afruan bastionit te presidentit në jug të Adenit në fund të marsit, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i është përgjigjur kërkesës të presidentit Hadi për të intervenuar në lansimin e sulmit ajror, ku për cak ishin rebelët Huthi.

Por, më 21 prill, Arabia Saudite njoftoi se fushata ajrore kundër rebelëve shiit Huthi në Jemen ka përfunduar, dhe se tash fillon një fazë e re e operacioneve që do të fokusohet në siguri, kundërterrorizëm, dërgim të ndihmave dhe zgjidhje politike të konfliktit në Jemen.

Zëdhënësi i ushtrisë saudite, gjeneral brigade, Ahmed Asseri, ka thënë se fushata i ka arritur qëllimet e saj në Jemen, duke udhëhequr 10 shtete sunite arabe kundër Huthit.

Konflikti në mes të rebelëve shiitë Huthi dhe qeverisë së zgjedhur, është parë edhe si luftë për pushtet rajonal në mes të Iranit që udhëhiqet nga shiitët dhe Arabisë Saudite që udhëhiqet nga sunitët, e që ndajnë një kufi të gjatë me Jemenin.

Jemeni është në aspektin strategjik i rëndësishëm sepse shtrihet në ngushticën Bab el-Mandab, një lum i lundrueshëm dhe i ngushtë që lidhë Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, përmes të cilit janë bërë shumë dërgesa të naftës.

Egjipti dhe Arabia Saudite kanë frikë se pushtimi i vendit nga rebelët, do të kërcënonte kalimin e lirë nëpër ngushticë.

* Huazuar nga agjencitë botërore të lajmeve

Përgatiti: Flandra Marmullaku
XS
SM
MD
LG