Ndërlidhjet

Asociacioni i komunave, kushti për kthimin e Listës Serbe


Lista Serbe është duke e pritur ftesën nga Qeveria e Kosovës për të biseduar lidhur me mundësitë e kthimit të përfaqësuesve të kësaj liste në institucione dhe mundësitë e zbatimit të marrëveshjes së koalicionit, konfirmojnë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Drejtuesi i Listës Serbe, Aleksandar Jablanoviq, ministër i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo listë është e gatshme t’i respektojë dhe zbatojë obligimet që ka marrë me rastin e arritjes së marrëveshjes së koalicionit.

“Ne ende presim ftesën e kryeministrit (Isa Mustafa), që edhe më tutje të vazhdojmë bisedimet lidhur me kthimin tonë në institucione. Lista Serbe ka qëndrime të qarta lidhur me kthimin e saj në Qeverinë e Kosovës dhe kjo nënkupton atë që të respektohet marrëveshja e koalicionit".

"Neve na kanë siguruar në parim Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, se ata janë të gatshëm që me partitë e tyre ta respektojnë marrëveshjen e koalicionit që e kanë nënshkruar me Listën serbe, por për ne është vendimtare që të shohim një hap të vullnetit të mirë në atë drejtim”, ka thënë Jablanoviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se janë të hapur për bisedime me Listën Serbe dhe po ashtu, sipas tyre, zyrtarët e ekzekutivit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kësaj liste, tash e tre muaj.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje në vazhdimësi Listës Serbe që t’i kthej përfaqësuesit e saj në institucione dhe se problemi nuk qëndron te ekzekutivi..

“Thirrje ne kemi bërë në vazhdimësi. Thirrjen mund ta bëj tash edhe përmes radios tuaj. Por, unë jam në kontakt me ta dhe ne takohemi me ta. Ata, në çdo moment, kurdo që të dëshirojnë, mund të vijnë dhe të takohemi në cilindo nivel që dëshirojnë. Por, problemi qëndron te Lista Serbe. Ne nuk jemi të sigurt se cili është problem i vërtetë se pse ata nuk kthehen në institucionet e Kosovës”, theksoi zëvendësministri Gecaj.

Por, Jablanoviq thotë se kushti i Listës Serbe është i qartë dhe ai është plotësimi, sipas tij, i pikës më qenësore të marrëveshjes së koalicionit, formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Siç thotë ai, në qoftë se nuk formohet kjo bashkësi, atëherë, në planin politik, kjo ia humbë kuptimin e pjesëmarrjes së serbëve në institucione. Jablanoviq thekson se marrëveshja e koalicionit kishte paraparë formimin e Asociacionit për 6 muaj, apo deri në fund të muajit maj të këtij viti, por sipas tij, ende nuk ka ndodhur asgjë lidhur me këtë çështje.

Por, cilat janë mundësitë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet edhe pa kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës dhe sa mund të merr kohë kjo?

Jablanoviq thotë se kjo është e mundur.

“Gjithsesi që ekzistojnë instrumente që të formohet Bashkësia e komunave serbe të formohet, për shkak se, para së gjithash, kjo nuk është obligim vetëm i përfaqësuesve politik të serbëve. Bashkësia e komunave serbe, e cila është vetëm një pjesë e marrëveshjes së Brukselit, por që për ne është pjesë qenësore, nuk është asgjë tjetër, por esenca e marrëveshjes së Brukselit”, tha Jablanoviq.

Ai shtoi se nëse kjo marrëveshje është nënshkruar në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që në terren të ketë obstruksione, atëherë, sipas tij, Lista Serbe nuk dëshiron të marrë pjesë në tërë këtë.

Edhe zëvendësministri Gecaj, pohon faktin se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të bëhet pa pjesëmarrjen e serbëve në institucione.

“Ne mund ta bëjmë edhe pa pjesëmarrjen e serbëve , nëse merremi vesh në Bruksel. Por, është i ditur fakti se të dyja anët, Prishtina dhe Beogradi, kanë pritje të ndryshme lidhur me këtë asociacion, kështu që, unë besoj, që kjo do të marrë një kohë. Ne do të dëshironim që kjo të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, por gjasat janë që kjo do të marrë disa muaj, derisa të përfundojnë negociatat dhe derisa të merremi vesh se si do të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Ndryshe, Lista Serbe pati pezulluar pjesëmarrjen në institucione që nga janari i këtij viti, pas shkarkimit të Jablanoviqit nga posti i ministrit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Jablanoviq, i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët më 6 janar kishin penguar përpjekjet e pelegrinëve serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

XS
SM
MD
LG