Ndërlidhjet

Mobilizimi për të shpëtuar trashëgiminë kulturore nga IS-i


Shumica e botës bën sehir, derisa militantët e Shtetit Islamik shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të Lindjes së Mesme. Por, një ekip i studiuesve çekë është duke punuar intensivisht për të shpëtuar trashëgiminë arkitekturale të një qytetit irakian.

Në shumë territore të Sirisë dhe Irakut që kontrollohen nga Shteti Islamik, shumë monumente, ndërtesa dhe vepra arti janë shkatërruar nga grupi ekstremist.

Kjo nuk është askund më e dukshme se në Mosul, ku shumica e trashëgimisë së tij kulturore tashmë është zhdukur.

“Fatkeqësisht, veprimet e Shtetit Islamik i kanë të gjithë shenjat e një shkatërrimi sistematik (në Mosul)”, thotë Karel Novacek nga Universiteti i Bohemisë Perëndimore, që është pjesë e misionit arkeologjik çek në veri të Irakut.

“Ky duket si një sulm që ka në shënjestër kujtesën historike të qytetit, rrënjët e tij dhe traditat – gjithçka që lidh banorët e Mosulit me të kaluarën”, thotë Novacek.

Novacek është shumë i shqetësuar me “gjenocidin kulturor”, për të cilin ai dhe disa arkeologë të tjerë çekë kanë vendosur të bëjnë diçka.

Në bashkëpunim me Institutin Orinetal të Akademisë Çeke të Shkencave, ata kanë nisur një projekt që ka për qëllim identifikimin e ndikimit të aktiviteteve të Shtetit Islamik në Mosul.

Duke përdorur kërkimet ekzistuese shkencore, burimet arkivore, fotografi, raporte nga njerëzit lokalë dhe imazhe satelitore, Novacek dhe kolegët e tij synojnë të mbledhin sa më shumë të dhëna rreth përpjekjeve shkatërruese të Shtetit Islamik.

Novacek, shpreson të përpilojë një listë të plotë të të gjitha dëmeve që janë bërë, në mënyrë që autoritetet irakiane dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë më pas përpjekje të koordinuara për të ruajtur atë që ka mbetur nga trashëgimia kulturore e qytetit.

I vendosur pranë lumit Tigër, rreth 400 kilometra larg Bagdadit, lokacioni strategjik i qytetit është zhvilluar me shpejtësi në Mesjetë, kur edhe është bërë pikë takimi për disa qytetërime dhe besime, përfshirë mylsimanët, të krishterët dhe hebrenjtë.

Kjo laramani kulturore është reflektuar në arkitekturën e Mosulit, e cila gradualisht e ka kthyer qytetin në një muze të gjallë të ndërtesave historike, për të cilat Novacek thotë se nuk kanë ngjashmëri me asnjë tjetër në botë.

Në shkurt, Shteti Islamik ka postuar një video që tregonte militantët duke bërë pluhur statujat në një muze të Mosulit.

Nga informacionet që kanë marrë, akademikët çekë druajnë se gjërat në Mosul mund të jenë edhe më keq.

“Qyteti ka marrë një goditje të tmerrshme”, thotë Novacek, i cili ka konstatuar se së paku 36 prej monumenteve më të rëndësishme të Mosulit janë shkatërruar.

“Shumica e dëmit është e pakthyeshme. Monumentet nga shekulli 12 dhe 13 janë zhdukur pa gjurmë dhe janë të pazëvendësueshme”, shton Novacek.

Përveç shkatërrimit të shumë strukturave të rralla arkeologjike të qytetit, Novacek thotë se ka po ashtu prova se artefakte të çmuara dhe vepra arti janë vjedhur nga muzetë dhe kishat e Mosulit. Ai mendon se shumë prej tyre do të shiten në treg të zi për të ndihmuar financimin e Shtetit Islamik.

Por, Novacek shpreson se jo gjithçka do të humbet. Ai është optimist sidomos për Xhaminë e Madhe Nur al-Din, minarja e së cilës është ndoshta pika më e famshme e referimit në Mosul.

“Nuk jam i sigurt se çfarë mund të shpëtohet, por është interesante se xhamia më e rëndësishme e Mosulit, me minaren Al-Hadba, është ende në këmbë. Minarja e saj daton nga shekulli 12 dhe është një nga strukturat më të rëndësishme në Irak”, thotë Novacek.

Ai dhe kolegët e tij po ashtu kanë zbuluar se shumë ndërtesa të krishtera të qytetit kanë mbetur të paprekura.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG