Ndërlidhjet

logo-print

Sipas statistikave të qeverisë ruse, 203,000 njerëz kanë lëshuar vendin në tetë muajt e parë të vitit 2014. Kjo shifër është më e lartë në krahasim me 186,000 persona që janë larguar nga Rusia në vitin 2013, dhe shumë afër për të thyer rekordin e migrimit në Rusi në vitin 1999, kur kishin ikur 215,000 persona.

Njihuni me personat më të spikatur që kanë vendosur të ikin nga Rusia në muajt e fundit dhe vitet e fundit, për të ndjekur fatin e tyre jashtë këtij vendi.

Rustam Adagamov, fotograf dhe shkrimtar, ka migruar në Pragë të Republikës Çeke në mars të vitit 2014, pasi që autoritetet ruse e kishin hetuar atë me akuzimet për dhunim ndaj një të miture, akuza të cilat i kishte kundërshtuar Adagamov.

Sergei Guriev, ekonomist dhe ish rektor i Shkollës Ekonomike të Moskës, ka shkuar në pushime në maj të vitit 2013, dhe nuk është kthyer më në Rusi, pasi që është kontaktuar nga prokurorët, lidhur me hetimet për akuzat e reja të mundshme penale kundër ish oligarkut Mikhail Khodorkovsky. ​"Unë personalisht kam ikur nga Rusia për arsye personale”, ka shkruar Guriev për New York Times. “Unë preferoj të jetoj i lirë”.Guriev tash jeton në Francë.

Oleg Kashin, gazetar dhe shkrimtar, kishte emigruar për në Zvicër në vitin 2013. Ai ishte sulmuar në vitin 2010 për raportimin e tij dhe tha se ka frikë nga ndjekja që po i bëhet për shkak të aktivitetit të tij opozitar.

Gary Kasparov, ish kampion i shahut dhe aktivist politik i opozitës, ka ikur nga Rusia në qershor të vitit 2013, duke deklaruar se ai nuk ka migruar, por nuk do të kthehet në Rusi deri sa të ndihet i sigurtë.​“Rusia ka qenë dhe do të jetë vendi im”, ka shkruar ai në atë kohë. Ai sot jeton në SHBA.

Masha Gessen, shkrimtare, gazetare dhe aktiviste. Në dhjetor të vitit 2013, Gessen njoftoi se do të migrojë drejt SHBA-së, për shkak të disa deklarimeve nga autoritetet ruse, se do t'i largojnë fëmijët nga familjet që përbëhen nga homoseksualët. “Posa kanë filluar të diskutojnë rreth largimit të fëmijëve nga familjet e tyre, unë ndjeva se nuk ia vlen asnjë rrezik i vogël për të pritur. Kështu që, u desht të largohemi”.

Mikhail Khodorkovsky, njëri nga pasanikët më të mëdhenj rusë, kishte qëndruar 10 vjet në burg për shkak të akuzave për përvetësim dhe evazion fiskal, për të cilat ai ka deklaruar se kanë qenë politikisht të motivuara. Khodorkovsky kishte pranuar një kërkim falje nga presidenca dhe ishte liruar në dhjetor të vitit 2013. Që nga ajo kohë ai ka jetuar në Zvicër. Ai tha në mars se nëse do te kthehej në Rusinë e Putinit, do të përfundonte përsëri në burg.

Pavel Durov, ndërmarrës dhe themelues i rrjetit social VKontakte, në fillim të vitit 2014, për shkak të një mosmarrëveshjeje në biznes, ka lëshuar Rusinë. Në prill të vitit 2014, ai ka njoftuar se është shtetas i Karaibeve dhe se VKontakte tani po kontrollohet nga Igor Sechin dhe oligarku Alisher Usmanov.

Galina Timchenko, gazetare dhe ish redaktore e Lenta.ru gjithashtu ka migruar. Pasi pronarët e Lenta.ru përjashtuan nga puna Timchenkon në mars të vitit 2014, për shkak të mbulimit të konfliktit në Ukrainë, gati shumica e stafit dhanë dorëheqje. Në prill të 2014-s, ajo dhe ekipi i saj hapën një projekt të ri mediatik të quajtur Meduza, të vendosur në Riga të Latvisë. Ajo tha për Daily Beast në nëntor të vitit 2014 se po ndihet e lirë nga presionet politike ruse.

Leonid Bershidsky, gazetar dhe redaktor i gazetës Vedomosti, ka lëshuar Rusinë për të shkuar në Gjermani në vitin 2014, për shkak të konfliktit në Ukrainë. “Nuk kam dëshirë të qëndroj në Rusi dhe nuk paguaj asnjë kopek- monedhë ruse për Krimenë”, kishte shkruar Bershidsky.

Marat Gelman, kurator dhe këshilltar politik, kishte njoftuar në janar të vitit 2015, se do të migronte nga Rusia për të krijuar një galeri arti në Mal të Zi. Ai u fut në telashe në vitin 2013, kur kishte kuruar një instalacion në Muzeun e Artit Kontemporan, në të cilin kishte përqeshur Lojërat Olimpike Dimërore Sochi dhe diktatorin sovjetik Josef Stalin.

Përgatiti: Flandra Marmullaku
XS
SM
MD
LG