Ndërlidhjet

Qeveria serbe vazhdon financimin e arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë


Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë,Marko Gjuriq, ka thënë se qeveria serbe do të vazhdojë të financojë shëndetësinë dhe arsimin në Kosovë.

“Të gjithë punonjësit shëndetësor dhe të punësuarit në arsim do të vazhdojnë të punojnë në sistemin e Serbisë. Kjo as që vihet në pikëpyetje. Ata do të marrin pagat nga buxheti i Serbisë, kurse pas formimit, këtu mund të ndihmojë edhe vetë Bashkësia e Komunave Serbe”, ka thënë Gjuriq, gjatë takimit të sotëm të komisionit parlamentar të Serbisë për Kosovën.

Në këtë takim, Gjuriq ua ka prezantuar ligjvënësve serbë raportin për përparimin në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Gjuriq ka shtuar gjithashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe do të intensifikojnë bisedimet ditët e ardhshme me partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë për kushtet e kthimit në institucionet, të cilat i kanë braktisur pas shkarkimit të Aleksandar Jabllanoviqit, nga posti i Ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.

Jabllanoviq qe shkarkuar pasi i kishte cilësuar si “egërsira” disa protestues në Gjakovë, të cilët kishin kundërshtuar vizitën e pelegrinëve serbë në këtë qytet me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

XS
SM
MD
LG