Ndërlidhjet

Në klinikën pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në repartin e Hematologjisë dhe Onkologjisë, trajtohen mbi 40 pacientë që vuajnë nga hemofilia.

Hemofilia është sëmundje e lindur dhe paraqet çrregullim me gjakderdhje të shumta, sidomos në nyje. Mjekimi themelor i hemofilisë është marrja e plazmës, që është produkt i gjakut ose faktori në formë të koncentruar, që ndryshe njihet si 'faktori 8' ose 'faktori 9'.

Prindërit e fëmijëve me hemofili, përballen me vështirësi të shumta. Ata thonë se ndonëse Ministria e Shëndetësisë në Kosovë siguron terapi për hemofilikët, kjo terapi nuk gjendet në të gjitha institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Nëna e fëmijës pesë vjeçar i cili vuan nga hemofilia, ka ardhur nga Rahoveci në Prishtinë, pasi që atje nuk ekziston kjo terapi.

"Fëmija im është 5 vjeçar dhe vuan nga hemofilia. Vështirë është shumë. Terapi ka vetëm në Prishtinë, derisa unë jam nga Rahoveci. Sa herë që i mavijoset trupi e di që fëmija ka nevojë për terapi".

Ndërkaq Violeta Grajçevci, shefe e repartit të Hemato-Onkologjisë në QKUK, ka bërë të ditur se në këtë repart trajtohen rreth 35 pacientë.

"Kemi ndarje të llojeve të hemofilive: ajo A, B dhe C. Më së shumti kemi pacientë me hemofili A, ku trajtohen rreth 35 raste, me hemofili B kemi 7 pacientë. Prej Hemofilisë A, pacientët trajtohen me faktorin 8, e që e siguron Ministria e Shëndetësisë, ata e marrin kohë pas kohe varësisht prej indikacioneve që duhen, dhe pa problem trajtohen te ne. Rastet me komplikime duhet të trajtohen kirurgjikisht".

Raportohet se nga katër raste të reja në vit paraqiten me këtë sëmundje në QKUK.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, këshilltari i ministrit Valbon Krasniqi, ka deklaruar se të gjithë pacientëve me hemofili u sigurohet terapia, derisa ka shtuar se kjo bëhet në bazë të kërkesave të menaxherëve të institucioneve shëndetësore.

"Sa u përket pacientëve me hemofili, Ministria e Shëndetësisë e blen faktorin 8 dhe 9 për të gjithë këta pacientë. Kjo ndahet në bazë të kërkesave rajonale dhe QKUK-së. Ministria e Shëndetësisë i furnizon të gjitha spitalet që bëjnë kërkesë".

Ndërkaq sa i përket kuadrit mjekësor për trajtimin e pacientëve me hemofili, flet drejtori i Klinikës Pediatrike, Muharrem Avdiu.

"Është reparti i Hematologjisë dhe Onkologjisë që i trajton rastet me hemofili. Përvojat e kuadrit mjekësor për hemofili janë të mira dhe profesionale. Kushtet janë të mira, pasi që nuk duhen edhe kushte specifike", shton Avdiu.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG