Ndërlidhjet

Lista Serbe kthehet në institucionet e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë marrë vendim që nga dita e sotme, e enjte 23 prill, të kthehen në institucionet e Kosovës, në Kuvendin dhe Qeverinë e saj, pas një mospjesëmarrjeje prej dy muajsh.

Në një komunikatë për opinion, të publikuar nga vetë ky subjekt politik, thuhet se vendimi është marrë pas bisedimeve me partnerët e koalicionit qeverisës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjatë të cilave “janë dhënë garanci se do të respektohen pikët kryesore të marrëveshjes për koalicion qeverisës”.

“Një nga arsyet kryesore të kthimit të përfaqësuesve të serbëve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës është edhe marrëveshja që në të ardhmen nuk do të ketë hapa të njëanshëm nga ana e partnerëve të koalicionit, posaçërisht kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit në zonat e banuara me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

Prioritetet e punës së Listës Serbe në periudhën e ardhshme do të jetë edhe sic thuhet në komunikatë, “mbrojtja e të drejtave të serbëve, veçanërisht në fushën e respektimit të të drejtave të pronës së personave privatë dhe juridik dhe kishës ortodokse serbe, përmirësimi I gjendjes në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbrojtjes së gjuhës, kulturës, trashëgimisë kulturore serbe dhe të drejtës në informim”.

XS
SM
MD
LG