Ndërlidhjet

Autoritetet doganore të Kosovës, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti kanë evidentuar 260 raste te kontrabandës më mallra të ndryshme.

Sipas zyrtarëve të Doganave, shuma e mallrave që është tentuar të hyjë në mënyrë joligjore përmes pikave kufitare, arrin mbi 300 mijë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mallrat e konfiskuara janë ato për të cilat duhet paguar akcizë.

Megjithatë, Stavileci pohon se niveli i kontrabandës në territorin e Kosovës ka shënuar rënie.

Mallrat e kontrabanduara, konfiskohen nga autoritetet doganore dhe varësisht nga lloji i produkteve, trajtohen nga agjencitë përkatëse apo shiten përmes ankandit publik.

“Deri më tani kemi përafërsisht mbi 260 kundërvajtje doganore, që në krahasim me vitin e kaluar paraqet një ulje për afër 100 kundërvajtje. Ky është një indikacion i mirë, sepse nënkupton që ne hap pas hapi kemi fituar luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal".

"Arsye tjetër që besojmë se jemi në rrugën e duhur, është se edhe të hyrat doganore në krahasim me vitin e kaluar janë në rritje e sipër”, tha Stavileci.

Doganat e Kosovës janë kontribuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin Mbi Vlerën e Shtruar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Ndryshe, të gjitha qeveritë pas luftës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë deklaruar se do të luftojnë kontrabandën, madje duke e vendosur si prioritet në politikat e tyre për parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq thonë se me gjithë faktin se ka pasur hapa pozitiv në zvogëlimin e nivelit të ekonomisë joformale, ende ka hapësirë për mobilizim dhe angazhim për të luftuar këtë dukuri negative.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se për t'i shpallur luftë kontrabandës, në rend të parë duhet të fuqizohet sundimi i ligjit.

“Nëse nuk ka fuqizim të sundimit të rendit dhe ligjit atëherë është utopike të mendohet dhe të bisedohet për luftë kundër kontrabandës dhe ekonomisë jo ligjore. Ne mund të identifikojmë barriera të shumta për të bërë biznes në Kosovë, por emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit”, tha ai.

Gërxhaliu, pohon se niveli i kontrabandës Kosovën e dëmton në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Në aspektin e brendshëm vërtetë i vendos në pozitë të keqe bizneset e pranishme dhe dëmton në mënyrë të drejtëpërdrejtë prodhimin vendor. Në aspektin e jashtëm dëmtohet edhe më tepër imazhi i Kosovës dhe vërtetë është e pamundur të mendohet se do të kemi investitorë të huaj në këtë vend".

"Prandaj, është koha kur duhet të bëhet më tepër luftë kundër ekonomisë joformale dhe ekonomisë së kriminalizuar dhe në këtë drejtim duhet të punohet në fuqizim të rendit dhe ligjit”, shton Gërxhaliu.

Ndryshe, në Kodin Penal të Republikës se Kosovës, kushdo që shmangë kontrollin doganor duke bartur mallra dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG